Mosliberalizimi i vizave “torturë” për qytetarët, pritje të gjata para ambasadave

Prishtinë | 03 Maj 2017 | 10:23 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nesër bëhet një vit kur Komisioni Evropian ka miratuar propozimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ky lajm ishte dhënë me pompozitet nga drejtuesit politikë, por qytetarët e Kosovës ende vazhdojnë të jenë populli më i izoluar në Evropë.

Kjo për shkak se Kosova pavarësisht lobimeve të shumta ende nuk gëzon liberalizimin e vizave.

E pikërisht për këtë qytetarët e vendit vazhdojnë të presin me orë të tëra para ambasadave për t’u pajisur me një vizë schengen.

Madje thonë se procedurat që duhet t’i kryejnë për t’u pajisur me një vizë janë të shumta, deri sa pritjet kalojnë me ditë e muaj të tërë.

E deri sa qytetarët vazhdojnë të presin gjatë, ata shprehen se procedurat për t’u pajisur me një vizë janë të shumta, madje fajin për këto pritje ia hedhin Qeverisë së vendit për të cilën thonë se duhet të punojë më shumë.

Ferat Zeqiri qytetar nga Peja i cili ishte duke pritur para Ambasadës së Zvicrës, tha për Ekonomia Online se janë dikund rreth 13 dokumente që një qytetari i duhen për t’i kompletuar e pastaj për të aplikuar për vizë.

“Në momentin si të vjen te ambasada të jep kuptim me pa se ka shumë procedura. Në momentin që vjen një ditë duhet ta bësh një termin, pastaj dokument pas dokumenti janë afër 13 dokumente që duhet me i ofrua . Unë po filloj prej parimit se kam një biznes që e mbaj me të gjitha procedurat që i kam janë të rregullta, i kam afër 9 viza dhe të gjitha herët të njëjtën rutinë , kthehesh me kohë, shkon me kohë është tepër ajo që është duke ndodhur me neve si Kosovë”, ka thënë ai.

Zeqiri thotë se fajin që qytetarët vazhdojnë të presin para ambasadave e ka Qeveria e vendit, edhe pse sipas tij topi po hidhet herë te njëri e herë të tjetri.

“Fajin nuk mund t’ia gjuash askujt sepse të gjithë po e hedhin topin te njëri tjetri por kryesisht me këto punë duhet të merret më tepër Qeveria, po e dimë punën e liberalizimit të vizave q ë po presim jo këtë vit jo atë vit por shkoj tepër gjatë duke prit, koha po ec ne vetëm mbetem kërkua si Kosovë rinia jonë 17 vjet duke prit para dyerve të ambasadave, nuk kemi nevojë me dal jashtë as për punë kemi punë këtu por me ta dhënë mundësinë me pa, ndërsa këtu kur vjen duhesh me prit shumë të ambasada Zvicrës nuk është në rregull një javë dit me të humb me i mbledh i ke humbje kohe”, ka thënë ai.

Kurse, Arben Qekaj i cili kishte ardhur po ashtu nga Peja me djalin e tij për të aplikuar për vizë pasi këtij të fundit i duhet të shkojë në Holandë për të luajtur futboll, thotë për Ekonomia Online se pavarësisht të ka mbledhur të gjitha dokumentet, po kthehen prapa pa asnjë rezultat.

“Ne kemi ardhur për një vizë për çunin që ka me luajt futboll jashtë shtetit, por si duket nuk po funksionon mirë këtu diçka në ambasadë edhe kemi ardh badihava, kemi nxjerr dokumente , kemi bë sigurime dhe prapë se prapë po kthehemi mbrapa pa ndonjë rezultat. Ka shumë procedura të gjata, ndoshta edhe të panevojshme por jemi munduar me i nxjerr me i kompletua dokumentet duke pasur parasysh për të ardhmen e fëmijëve tonë, mirëpo ne po mundohemi ato pak kushte që i kemi po shteti po na ndal”, ka thënë ai.

Fajin për mos liberalizim të vizave Qekaj ia hedh zgjedhësve të popullit, për siç thotë edhe pse ua kanë dhënë votën këta të fundit nuk po punojnë për popullin.

“Ata që ne i kemi zgjedh edhe që ia kemi besua me na udhëheq po më duket që nuk janë duke punuar sa duhet për popullin dhe njerëzit që i kanë votua. Liberalizimin e vizave nuk e bëjnë sepse janë duke bërë vetëm për atë sa kanë nevojë shtetet e huaja me na marrë sikurse Gjermania kështu që kur të bëhet liberalizimi nuk ka se kush të shkojë më jashtë”, ka thënë ai.

Ndalimi i kosovarëve të kalojnë lirshëm nëpër zonën Schengen po bëhet për shkak siç thuhet të mos ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Demarkacioni është kusht i vënë nga Bashkimi Evropian, i cili po torturon kosovarët çdo ditë nëpër dyert e ambasadave.

Të ngjashme