Mostrat e gërmimeve në Kizhevak dërgohen në Hagë

Prishtinë | 18 Mar 2021 | 20:36 | Nga Ekonomia Online

Në Hagë të Holandës ku e ka selinë Komisioni Ndërkombëtar për personat e pagjetur, Serbia ka dërguar disa mostra.

Dyshohet se ato janë të trupave të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë nga shteti i Serbisë e që në nëntor të vitit 2020 u gjetën në Kizhevak të Serbisë, ku u zbulua një varrezë masive, njofton Klan Kosova.

Kizhevaku tani është konservuar deri në fund të muajit mars kur pritet të rinisin gërmimet; kurse rezultatet e analizës së ADN-së pritet të iu dorëzohen autoriteteve serbe dhe atyre kosovare.

“Ai është interpretim profesional i mjeko-ligjorëve. Merret një copë kockore dhe dërgohet. Analizat bëhen në nivelin më të lartë shkencorë e profesional mjekësor. Pastaj bëhet krahasimi me rezultatet e analizave të gjakut dhe kur ka përputhje bëhet identifikim” tha Ramë Manaj, nga Komisioni qeveritar për personat e pagjetur.

Ndërkohë në pranverë do kërkohet që të ketë gërmime edhe në një lokacion tjetër në tokën serbe.

Në Shtaval të Sjenicës dyshime ka se u groposën trupa të të vrarëve që janë sjellë aty nga Kosova, si pjesë e ndërmarrjes së organizuar shtetërore të Beogradit për fshehjen e gjurmëve të krimit.

Edhe 1643 persona kërkohen që nga viti 1999, qëkur përfundoi lufta në Kosovë.

E para ca javësh ish-pjesëtari i policisë së Serbisë, Jovan Goluboviq, rrëfeu se godina e xhandarmerisë serbe në një komunë në jug të vendit është ndërtuar mbi hapësirën ku sipas tij, ishin varrosur trupa njerëzish.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme