Moszbatimi i ligjit pengesë për trajtimin e barabartë të personave me nevoja të veçanta

Prishtinë | 03 Dhj 2017 | 12:09 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Institucionet e Kosovës duhet të punojnë në zbatimin e Ligjit për trajtimin e barabartë të personave me nevoja të veçanta. Kështu u tha në tryezën e organizuar në Ditën ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta.

Xhevat Bajrami, drejtor i Departamentit të Rinisë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), tha se kjo ministri është e interesuar në integrimin e personave me nevoja të veçanta, veçanërisht të grupmoshave të reja, raporton Ekonomia Online.

“Ministria e Kulturës nuk i mbështet personat me aftësi të kufizuara vetëm më 3 dhjetor, por gjatë gjithë vitit. Ne si ministri jemi jashtëzakonisht të interesuar që të kemi integrim sa më të madh të personave me aftësi të kufizuara, sidomos nga grupmoshat e reja në aktivitetet tona. Ne synojmë që të fuqizojmë sektorin e rinisë, prandaj edhe të rinjtë tuaj të jenë bashkërisht me moshatarët e tyre”, tha Bajrami.

Ndërsa Bujar Kadriu, kryetar i Forumit Kosovar për Aftësitë e Kufizuara, tha se moszbatimi i ligjeve po krijon efekt negativ për personat me nevoja të veçanta.

Ai tha se pa një përmirësim ligjor dhe të standardit jetësor të personave me nevoja të veçanta nuk mund të thuhet se Kosova është gjithëpërfshirëse dhe se e vlerëson barazinë mes qytetarëve të saj.

“Kujdesi apo obligimet që dalin nga mekanizmat ligjorë duhet të jenë të përhershme. Moszbatimi i ligjeve prodhon efekt negativ te personat me aftësi të kufizuara. Personat me aftësi të kufizuara kanë nevojë për shumë gjëra që të jenë në mesin e tyre që të jenë të barabartë. Nuk mund të flasim për një barazi mes të rinjve kur në institucione ende nuk ka qasje për ata të rinj. Mediet kanë bërë një kontribut të jashtëzakonshëm për fuqizimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara”.

“Nuk mjaftojnë vetëm deklaratat por duhet të marrin seriozisht zbatimin e ligjeve, duhet të konsultohen drejt për së drejti me organizatat e personave me aftësi të kufizuar. Pa një përmirësim ligjor të standardit të jetës të personave me aftësi të kufizuar nuk mund të themi se Kosova e vlerëson barazinë mes njerëzve”.

Roli i medieve në vetëdijesimin e shoqërisë për personat me nevoja të veçanta, u vlerësua edhe nga Isa Kurtishaj. 

“Mediet e kanë bërë një punë të jashtëzakonshme që këto kategori sot nuk shihen ndryshe nga pjesa tjetër e shoqërisë”, tha Kurtishaj.

Të ngjashme