Moti për sot

Prishtinë | 22 Dhj 2020 | 07:31 | Nga Ekonomia Online

Java e katërt e dhjetorit po pritet të karakterizohet me një mot më dinamik.  Megjithëse ditëve të para anticikloni në lindje të rajonit, ende mbetet dominues, do të vazhdoj të mbajë kushte për mjegull dhe vransira të ulëta përgjatë ultësirave. 

Nga dita e mërkurë tjera fusha anticiklonike nga Azoret në Atlantik do të shtrihen përgjatë Mesdheut dhe rajonit tonë, të cilat sjellin mot më të ngrohtë, e mundësi edhe për intervale me diell orëve të pasdites. 

Prej së premtes një sistem frontal nga Europa veriore do të depërtojë mbi vendin tonë, ku do të sjell masa më të ftohta ajrore, të cilat mundësojnë reshje shiu, e më pas edhe reshje dëbore në fundjavë.

Indeksi i cilësisë së ajrit mbetet në vlera të dobëta, meqë ndotësit ajror do të mbeten të rritur edhe ditëve në vijim, mirëpo orëve të mëngjesit indeksi mund të zbres edhe në vlera mesatare.  E me ndryshimin e motit koncentrimi i ndotësve parashihet të zvogëlohet, kur mund të ketë më shumë qarkullim ajror.

22.12 – Në ultësira mjegull dhe vransira të ulëta, pasdite mundësi për intervale të shkurta me diell.  Në vise kodrinoro-malore kryesisht me kthjellime dhe diell.

23.12 – Në mëngjes përgjatë ultësirave me mjegull, e pasdite pritet të shpërndahet kur priten intervale me diell.

24.12 – Kryesisht me vransira.  Përgjatë ultësirave në mëngjes mundësi për mjegull, që vende-vende mbetet edhe gjatë ditës.

25.12 – Kryesisht me vransira.  Pasdite mundësi për reshje shiu, që më vonë shndërrohen edhe në reshje bore.

Temperaturat minimale të ajrit lëvizin nga -1C deri 3C, e temperaturat maksimale gradualisht do të rriten nga 5C deri 10C.

Do të fryj erë e lehtë drejtimesh të ndryshme 1-4m/s, e nga e enjte edhe mesatare nga krahu jugor 4-9m/s.

Shtypja atmosferike mbetet e lartë mbi vlera normale, me tendencë të rënies në pjesën e dytë të javës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme