Me moton “Mos merrni vendime për ne, pa ne” fëmijët shënojnë ditën e tyre

Prishtinë | 20 Nën 2017 | 10:32 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

“Mos merrni vendime për ne, pa ne”. Këtë moto e zgjodhën fëmijët e  shkollave të ndryshme të Kosovës për t’i vërshuar rrugët e kryeqytetit me rastin e Ditës së Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e tyre.

Organizimi i këtij marshi u bë nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë, në bashkëpunim me Save the Children dhe Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve  (KOMF), raporton Ekonomia Online.

Fëmijë të shkollave të ndryshme të Kosovës e filluan marshin në sheshin “Zahir Pajaziti”, për t’iu drejtuar Kuvendit të Kosovës, me ç’rast do të priten nga kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli.

Në pankarta fëmijët kanë kërkesa e mesazhe  adresuar prindërve, qeverisë, deputetëve dhe shoqërisë për të promovuar të drejtat që iu takojnë. Në pankarta të tyre shkruhet ” Po ta shikonit botën me sytë tanë nuk do të bënit dallime mes njerëzve” e mesazhe të tjera që ata kanë përzgjedhur për të shënuar ditën e tyre.

Pas marshit, në Kuvend me fillim nga ora 10:30 do të mbahet një seancë plenare kushtuar tyre. Ndërsa me një fjalë rasti do t’iu drejtohet kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

20 nëntori është shënuar në kalendar si “Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve”. Përcaktimi i kësaj dite ka marrë shkas nga Konventa për të drejtat e fëmijëve, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në 20 Nëntor 1989.

Gjithashtu kjo ditë ka për qëllim të jetë ditë aktivitetesh për të promovuar idealet dhe objektivat e Kartës për të Drejtat e Fëmijëve si dhe mirëqënien e fëmijëve të botës.

Të ngjashme