MPB: Vazhdon zbatimi i marrëveshjes për targa

Prishtinë | 06 Tet 2021 | 16:31 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se zbatimi i marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë është duke u zbatuar me sukses dhe vendosja e targave të përkohshme (stikersave) është duke u vazhduar me një dinamike të lartë.

Sa i përket administrimit të stikersave, MPB njofton qytetarët se nga data 04 tetor deri më sot (06 tetor) janë lëshuar gjithsej 6,365 stikersa prej të cilave 4,698 nga Pikat e Kalimit Kufitar dhe 1,667 nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve. Ndër komunat me më së shumti kërkesa për stikersa nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve bëjnë pjesë: Zveçani (338), Graçanica (329), Zubin Potoku (228), Leposaviqi (198), Gjilani (109), Shtërpce (88), Kamenica (53), Obiliqi (53), Novobërda (48), e të tjera.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët gjithashtu se deri në këto momente puna në Pikat e Kalimit Kufitar dhe Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve është duke vazhduar pa asnjë incident dhe marrëveshja po zbatohet në përpikëri.

“Në fund Ministria e Punëve të Brendshme u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të pajisen me stikersa deri me 8 tetor në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve dhe stacionet më të afërta policore, në të kundërtën Policia e Kosovës do të gjobitë drejtuesit e automjeteve të cilët nuk e zbatojnë këtë vendim”, thuhet në njoftim.

Pikat kryesore të marrëveshjes për targa mes Kosovës dhe Serbisë:

-Më 2 tetor Njësia Speciale që aktualisht është në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjakë, do të largohen dhe në të njëjtën kohë do të largohen edhe bllokimi i rrugëve, duke filluar nga ora 08:00, por jo më vonë se ora 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinje dhe Bërnjakë, para fillimit të tërheqjes së sinkronizuar të Njësive Speciale dhe barrikadave, dhe do të qëndrojnë atje afërsisht dy javë për të ofruar ambient të qetë dhe të sigurt, si dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë.

– Më datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës.

– Do të krijohet një grup punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së, Beogradit dhe Prishtinës, të kryesuar nga BE-ja do të formohet për të gjetur një zgjidhje përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i këtij grupi do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, grupi punues do të paraqet të gjeturat për zgjidhjen përfundimtare para përfaqësuesve të nivelit më të lartë në procesin e Dialogut.

Të ngjashme