MPJ dënon sulmin ndaj autobusit kosovar në Serbi, pret nga Beogradi të marrë masa

Prishtinë | 30 Tet 2018 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar pas sulmit të mbrëmshëm me gurë në Krushevcë të Serbisë me gurë ndaj një autobusi me pasagjerë nga Kosova.

MPJ ka shprehur shqetësime për përsëritjen dhe shpeshtimin e rasteve tashmë të kthyer në dukuri të pengesave sistematike-burokratike dhe sulmeve më të vrazhda fizike ndaj mjeteve të transportit të Kosovës dhe shtetasve të saj, të cilët po e shfrytëzojnë territorin e shtetit të Serbisë si kalim transit për në shtete të tjera të Evropës, transmeton Ekonomia Online.

Ministria që drejtohet nga Behgjet Pacolli vlerëson se veprimet e tilla, të cilat krijojnë maltretime të udhëtarëve, qofshin ato në Serbi apo Kosovë duhet të dënohen rreptësisht.

“Pengimi i automjeteve dhe gjuajtja e tyre me gjëra të ngurta rrezikojnë jetën e udhëtarëve. Presim, që organet e rendit, në këtë rast, në Serbi do të marrin masa sipas Ligjit kundër autorëve të këtij delikti Shtetasit e Republikës së Kosovës si ata të Serbisë duhet të lëvizin lirshëm, pa frikë, kudo qofshin ata”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Lëvizja e lirë e pa pengesë është parim themelor i BE-së dhe përkushtim i deklaruar institucional nga përfaqësuesit e shtetit fqinj për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane.

Ministria e Punëve të Jashtme thërret autoritetet e shtetit fqinj që të zbardhin sa më shpejt rrethanat dhe motivet e sulmeve të vazhdueshme dhe të sjellë para drejtësisë kryerësit e këtyre veprave.

Ministria e Punëve të Jashtme u bën thirrje edhe përfaqësuesve të BE-së, si ndërmjetëse në dialogun në mes dy shteteve që t’i kërkojë Serbisë respektimin e parimit themelor mbi të cilin është themeluar edhe vet BE-ja, atë të lirisë së lëvizjes.​

LEXO EDHE:

http://cs13.temp.domains/~ekonomia/nacionale/autobusi-nga-kosova-sulmohet-me-gure-ne-serbi/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme