MPJ-ja fsheh informatën për një rast kontakti me të prekur nga COVID-19

Prishtinë | 09 Qer 2020 | 18:46 | Nga Ekonomia Online

Një zyrtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme ka dalë në vendin e punës të hënën, ani se ajo ishte rast kontakti i një personi të konfirmuar si i infektuar me virusin SARS-Cov-2. Ministria është përpjekur ta mbajë fshehtë informatën.

Burime të KOHËS kanë thënë se bëhet fjalë për një zyrtare, e cila ka qëndruar të hënën për dy orë në vendin e punës, dhe se ka ikur për në shtëpi vetëm pasi i është dhënë leje nga eprori. Zyrtarja kishte pasur kontakt me kunatën e saj, të konfirmuar si e prekur nga pandemia COVID-19.

Por, prej dy ditësh MPJ-ja ka refuzuar të ofrojë informacione për këtë rast.

Në këtë ministri nuk kanë treguar nëse, paraprakisht, punonjësve u janë dhënë instruksione për mënyrën se si të veprojnë në rastet kur kanë pasur kontakt me të infektuar ose me njerëz që dyshohet të jenë infektuar.

Po kështu, nuk kanë treguar as arsyet pse rasti i së hënës nuk ishte izoluar, dhe as nuk kanë ofruar informacione se me sa zyrtarë ka pasur kontakt nëpunësja që ka kontaktuar me kunatën e saj të prekur nga pandemia. Në Ministri nuk kanë treguar as për masat e marra, pas këtij rasti.

Nga institucione publike, institucioni i fundit ku ka “mbërri” virusi është Galeria Kombëtare. Të martën ajo është mbyllur dhe i gjithë stafi i saj ndodhet në vetizolim, meqë një punonjëse e këtij institucioni ka rezultuar pozitive.

Edhe në Ministrinë e Arsimit është raportuar të martën se ka një zyrtar të infektuar, ndërkaq shkaku i infektimeve, janë mbyllur tri çerdhe të porsahapura në Prishtinë.

Me infektim nëpunësish janë përballur veçmas institucionet shëndetësore dhe Policia.

E, javën e shkuar 6 punëtorë të KEK-ut kanë rezultuar pozitivë, për çka 63 punëtorë të tjerë kanë shkuar në vetizolim dhe i janë nënshtruar testit.

Që nga marsi kur pandemia ka prekur Kosovës, deri të hënën janë konfirmuar 1,263 të infektuar, nga të cilët 912 janë shëruar, 31 kanë vdekur, ndërsa tek të tjerët virusi është ende aktiv.

Të ngjashme