MPJ jep detaje për ndalimin e Marjan Gjokës nga autoritetet serbe

Prishtinë | 27 Maj 2019 | 12:19 | Nga Ekonomia Online

Gjatë ditës së djeshme, autoritetet serbe kanë ndaluar zyrtarin e Administratës Tatimore të Kosovës, Marjan Gjoka.

Marjan Gjoka ka qenë zyrtari i radhës që është ndaluar nga autoritetet serbe.

Gjoka i cili është zyrtar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), është ndaluar nga autoritetet serbe teksa po kthehej për në Kosovë.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka bërë të ditur për lajmi.net, se Gjoka është ndalur në pikëkalimin kufitar në mes të Kroacisë dhe Serbisë në bazë të një urdhri të ndalimit për Gjokan që është bërë në pikën kufitare të Shidit.

Liridon Llapashtica, këshilltar politik i ministrit, Behgjet Pacolli, ka thënë për lajmi.net, se deri më tani, kjo ministri nuk ka asnjë informacion shtesë.

“Informatat zyrtare që kemi deri tani nga Beogradi në rastin e arrestimit e shtetasit kosovar, Marjan Gjokajt, janë se z.Gjokaj është ndaluar nga Policia kufitare e shtetit serb në pikën kufitare të Shidit, pikë kufitare kjo e cila ndodhet mes Kroacisë dhe Serbisë. Ndalesa e tij është bërë pasi që për të njëjtin ka pasur urdhër-ndalesë dhe ndodhet në Departamentin Policor në pikën kufitare të Shidit”, ka deklaruar Llapashtica për lajmi.net.

Tutje ai ka bërë të ditur se, MPJ-ja është në pritje të informacioneve zyrtare nga Prokuroria serbe në lidhje me arsyetimin e ndalesës së Gjokës.

“Institucionet e kosovare janë në pritje të informatave zyrtare nga Zyra e Prokurorisë për arsyen e ndalesës së Gjokajt”, ka treguar Llapashtica për lajmi.net.

Po ashtu, pas ndalimit të Marjan Gjokës, shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, i ka shkruar sot Përfaqësues së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Federica Mogherini, ku ka shprehur shqetësimin për arrestimin dhe kërcënimin e vazhdueshëm të qytetarëve kosovarë nga autoritetet serbe.

“Unë i bëj thirrje BE-së që të ndërhyjë dhe të ndalojë këto veprime nga Beogradi. Kosova është e gatshme të marrë masa për të reaguar dhe për të mbrojtur qytetarët e saj të të gjitha përkatësive etnike dhe fetare”, ka bërë të ditur Pacolli në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Të ngjashme