MPJD dhe MSh thonë se s’kanë marrë dokumente shëndetësore që do alarmonin gjendjen e ndjeshme të Agon Musliut

Prishtinë | 05 Maj 2020 | 20:24 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Shëndetësisë përmes një komunikate për media bëjnë të ditur se në tri hallkat e rregullta të raportimit dhe kontrollit mjekësor s’ka pasur dokumente që do alarmonin gjendjen e ndjeshme të të ndjerit, Agon Musliu.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe Ministria e Shëndetësisë (MSh) shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e të ndjerit Agon Musliu.

Tutje thuhet se pas rastit tragjik, MSh, ka kërkuar raporte me shkrim nga zyrtarë, profesionistë dhe ekipe përgjegjëse që janë nën menaxhimin e kësaj Ministrie.

Gjithashtu, pas informimit për rastin, MPJD ka filluar kontaktet ndërinstitucionale për t’u informuar për detajet e tij. Njëkohësisht, MPJD ka kërkuar raporte të detajuara zyrtare nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani dhe nga Qendra Operative e MPJD-së, e cila është përgjegjëse për koordinimin e kthimit të qytetarëve në Republikën e Kosovës.

“Pas shqyrtimit të raporteve, kemi kuptuar që për rastin në fjalë Qendra Operative e MPJD-së dhe zyrtarët e saj, përveç shënimit në listë si “prob. shen. – posedon vërtetim”, siç janë shënuar edhe rastet e tjera, nuk kanë pasur asnjë dokument shëndetësor. Duhet ta sqarojmë, që listat e tilla dërgohen rregullisht nga misionet diplomatike dhe ato nuk janë valide për ta përcaktuar qëndrimin apo mosqëndrimin e dikujt në karantinë, sepse ato përgatiten nga shefat e misioneve diplomatike, e jo nga organet shëndetësore”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se gjithashtu, Qendra Operative Emergjente, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ka qenë e njoftuar dhe nuk i janë dërguar dokumente shëndetësore të cilat do të alarmonin për gjendjen e ndjeshme të të ndjerit, në asnjërën nga tri hallkat e rregullta të raportimit dhe kontrollit mjekësor, siç ka ndodhur me rastet e tjera të cilat janë liruar.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Shëndetësisë bëjnë thirrje që organet e hetuesisë të punojnë për zbardhjen e rastit në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më shpejt dhe njëkohësisht shprehin gatishmërinë e tyre që të bashkëpunojnë me organet përkatëse.

Vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë dhe transparent me organet e hetimit dhe vetëm duke e mbajtur rastin larg nga politika, do të mund të kuptohet e vërteta dhe të vihet drejtësia në vend.

Të ngjashme