MSH-ja dhe IKShPK-ja reagojnë ndaj Avonet-it: Dezinformimi është akt i dënueshëm me ligj

Prishtinë | 07 Pri 2020 | 12:46 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike shprehin shqetësimin, për siç thonë përmes një reagimi dërguar mediave, deklarimet e pakujdesshme, të papërgjegjshme dhe të pa argumentuara të një organizate jo-qeveritare lidhur me menaxhimin e situatës epidemiologjike rreth Covid-19 në Kosovë.

Në reagim theksohet se në kohën kur Kosova ka, fatmirësisht, numrin më të vogël të rasteve të konfirmuara pozitive me Covid-19 dhe numër të vogël të vdekjeve krahasuar me shtetet e tjera të rajonit nga kjo sëmundje (edhe pse çdo vdekje është humbje e madhe për ne), dhe në kohën kur institucionet e shtetit punojnë 24/7 bashkë me profesionistët shëndetësor për të luftuar për shëndetin e secilit qytetar dhe kur masat e ndërmarra tashmë është konfirmuar se kanë dhënë rezultatet e para pozitive, deklarimet e papërgjegjshme të një OJQ-je, me sfond të panjohur, janë fyerje për secilin punëtor shëndetësor, për të gjithë zyrtarët të administratës shtetërore (qendrore e lokale) dhe të shërbimeve të tjera mbështetëse, të cilët duke ekspozuar veten dhe familjet e tyre para rrezikut, përmbushin me përgjegjësi dhe vetëmohim obligimet para qytetarëve.

“Rrjeti i OJQ-ve AVONET, në mungesë të informatave burimore, të cilat as që ka provuar t’i kërkojë në institucionet përgjegjëse, dezinformon rreth furnizimeve të bërë nga Ministria në Komuna dhje flet me jo-kompetencë edhe lidhur me testimet që kryhen për SARS-Cov-2 në Kosovë, pa e argumentuar me asgjë atë që e thotë me papërgjegjësi dhe pa i ofruar publikut asnjë argumentim lidhur me kriteret se si dhe kush duhet t’i nënshtrohet testimit”, thuhet në reagim.

|MSh, IKSHPK, SHSKUK dhe institucionet e tjera i bëjnë thirrje kësaj organizate dhe të gjithë të tjerëve, që të bëhen pjesë e angazhimeve për të ndihmuar popullatën në përballimin e kësaj situate, të tregojnë më tepër respekt për punonjësit shëndetësor në angazhimet e tyre dhe më shumë solidaritet me të prekurit me Covid-19 në luftimin e sëmundjes. Gjithashtu, të mos e pengojnë punën e institucioneve. Mosdija dhe mungesa e informacionit, nuk do të thotë të transformohet në fyerje ndaj atyre që sot po luftojnë për shëndetin e popullatës”, thuhet tutje në reagim.

MSH dhe IKSHPK bëjnë prapë apel.

“Rrini në shpi! Ky është, me gjasë, kontributi i juaj i vetëm, që mund të jepni në këtë situatë! Dezinformimi dhe krijimi i panikut në situata të emergjencës së shëndetit publik, është akt i dënueshëm me ligjet në fuqi. MSh i siguron qytetarët se do të jap maksimumin bashkë me institucionet e tjera në parandalimin e përhapjes së Covid-19 dhe në menaxhimin sa më korrekt të situatës epidemiologjike në vend!”, përfundon reagimi.

AVONET, kërkoi sot nga këto institucione që të rris numrin e testeve dhe të përfundoj sa më parë testimet e vatrave që potencialisht po janë me numër më të madh të infektuarve, poashtu të fillohet me dezinfektim në tërë hapësirën publike dhe të objekteve publike dhe kolektive, sepse është njëra prej masave parandaluese.

“Poashtu, zyrtarët e IKSHPK-së të kursehen nga deklaratat në rastet kur japin javë se kur mundet të kemi rritjen kulminante të virusit, të cilat po kanë efekte negative duke krijuar panik te qytetarët”, u tha ndër tjera.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme