MSH-ja reagon ndaj akuzave të Konjufcës

Prishtinë | 25 Gus 2020 | 17:01 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë  ka reaguar ndaj deklaratave të Glauk Konjufcës, i cili sot ka akuzuar MSh-në, se ka licencuar laboratorë private për teste, pa qenë të regjistruara si biznese.

Në reagimin e MSH-së thuhet se “Bordi për Licencim të Institucioneve Shëndetësore Private i Ministrisë së Shëndetësisë sqaron se ky bord ka bërë licencimin e vetëm atyre laboratorëve të cilët i kanë plotësuar kriteret”, thuhet në reagim

Reagimi i plotë:

Ndërlidhur me deklarimin e deputetit Glauk Konjufca, sot  në një konferencë për media, se kinse Ministria e Shëndetësisë ka licencuar për kryerje të testimeve  për Covid-19 laboratorë privat të cilët nuk janë as të regjistruara si biznese, Bordi për Licencim të Institucioneve Shëndetësore Private i Ministrisë së Shëndetësisë sqaron se ky bord ka bërë licencimin e vetëm atyre laboratorëve të cilët i kanë plotësuar kriteret.

 Sa i përket certifikatës së biznesit, ajo nuk është kriter i aplikimit për lëshimin e lejes për kryerjen e testeve covid-19 , duke qenë se institucionet kanë pasur licenca valide si veprimtari dhe ato e kanë pasur për obligim që certifikatën e biznesit ta dëshmojnë në momentin e aplikimit për licencimit të institucionit si tërësi.

Për informim të drejtë, shërbimi i testimit është një shërbim shtesë në kuadër të institucioneve të licencuara edhe më parë për ushtrim të veprimtarive të ndryshme mjekësore.

Përndryshe, pa certifikatë të biznesit, ato nuk mund të licencohen për ushtrimin e asnjë veprimtarie shëndetësore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme