MSh pritet të angazhojë rreth 570 specializantë për vaksinimin e qytetarëve

Prishtinë | 31 Maj 2021 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë pritet që për 6 muaj të angazhojë rreth 570 specializantë për vaksinimin e qytetarëve kundër virusit SARS CoV-2. Komuna e Prishtinës prin me numrin më të madh të specializanteve të cilët do të angazhohen për vaksinim. Përfaqësues të punëtorëve shëndetësorë kërkojnë nga Ministria e Shëndetësisë që të ketë një strategji të mirëfilltë për angazhimin e specializantëve.

Rreth 570 specializantë të fushave të ndryshme pritet të angazhohen nga mesi i muajit qershor deri në fund të muajit nëntor në vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19.

Express ka siguruar një listë të specializantëve të cilët pritet të angazhohen nga muaji qershor në vaksinimin e qytetarëve.

Specializantët do të jenë të ndarë në grupe të ndryshme, disa do të punojnë gjatë muajve qershor-korrik, disa gusht-shtator dhe disa tetor-nëntor.

Express ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Ministria e Shëndetësisë në lidhje me angazhimin e këtyre specializantëve, por që të njëjtit tashmë që më shumë se një javë nuk janë përgjigjur në pyetje për tema të ndryshme për gazetën, e as në pyetjet për specializantët.

Mirëpo, në listën që ka siguruar Express, bëhet e ditur se Komuna e Prishtinës prinë me numrin më të madh të specializantëve të angazhuar për periudhën 6 mujore për vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19, me gjithsej 63 specializantë të angazhuar, pastaj është Komuna e Prizrenit me 54 specializantë, Komuna e Pejës me 36 specializantë të angazhuar dhe ajo e Mitrovicës me 30.

Komunat me më së paku specializantë të angazhuar do të jenë ajo e Obiliqit, Novobërdës, Mamushës, Hanit të Elezit dhe Junikut, me nga 3 specializantë të angazhuar.

Ndërsa, Komuna e Gjakovës do të ketë 28 specializantë të angazhuar, ajo e Gjilanit 24, Ferizajt me 24, Podujevës me 24, Skenderajt me 18 dhe Drenasit 15.

Specializantët e angazhuar janë të specializimeve të ndryshme, shumë prej tyre janë duke kryer specializimin për Onkologji, Gjinekologji me Obstetrikë, Oftalmologji, Kardiologji, Kardiologji dhe kirurgji vaskulare, Gastroenterologji e Onkologji.

Ndërsa, përgjithësisht specializantët pritet të punojnë në qendrat e vaksinimit në komunat të cilave u takojnë, megjithëse ka edhe prej tyre të cilët duhet të punojnë në komuna tjera, ku shihet se numri i specializantëve është më i vogël.

Edhe në Komunën e Zveqanit edhe në atë të Leposaviqit pritet të angazhohen nga 6 specializantë të cilët janë me vendbanim në Prishtinë.

Derisa nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë dhënë informacione për gazetën për këtë proces, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë për Express se vaksinimi i qytetarëve është shumë i rëndësishëm, andaj edhe Ministria e Shëndetësisë duhet të ketë një strategji të mirëfilltë për angazhimin e një numri të madh specializantëve për vaksinim.

Ai ka thënë se shpreson që angazhimi i një numri të madh të specializantëve në vaksinimin e qytetarëve, nuk do të ndikojë në punën e institucioneve publike shëndetësorë në vend.

“Është e rëndësishme të vaksinohet popullata. Unë shpresoj që nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e punës nëse kanë strategji të mirëfilltë, nëse nuk planifikohet mirë atëherë nuk do të jetë mire”, ka deklaruar ai.

Përndryshe, Syla ka thënë se punëtorët shëndetësorë vazhdojnë të jenë të lodhur nga ballafaqimi me pandeminë COVID-19.

Kujtojmë që Kosova vazhdon të qëndroj mbrapa vendeve tjera sa i përket furnizimit me vaksina e vaksinimit të qytetarëve.

Të ngjashme