Mujku i QPS-së: Është shtuar edhe një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve që kërkojnë lëmoshë

Prishtinë | 01 Nën 2021 | 19:05 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i qendrës për punë socialë në Prishtinë, Vebi Mujku, ka deklaruar se çdo ditë e më shumë është në rritje numri i fëmijëve në situatë rrugë, të cilët kërkojnë lëmoshë.

Në emisionin Info Magazinë në Klan Kosova ai u shpreh se si QPS bashkëpunojnë shumë ngushtë me policinë për identifikimin e tyre dhe gjetjen e familjeve të tyre për t’i bashkuar, afruar dhe sensibilizuar, me qëllim për t’i larguar nga rruga.

Pëveç kësaj, bëri të ditur se përveç pjesëtarëve të komunitetit Ashkali dhe Rom, kohëve të fundit është shtuar edhe numri i fëmijëve shqiptarë dhe familjeve të tyre që kërkojnë lëmoshë.

“Situata është shqetësuese. Çdo ditë po rritet numri i tyre. E keqja më e madhe është se shumica e tyre nuk janë nga Prishtina, por nga komuna të tjera që frekuentojnë në Prishtinë”.

“Qendra për Punë Sociale është institucion i vetëm i mandatuar për ofrimin e shërbimeve sociale dhe për mbrojtjen e fëmijëve e të rriturve. Mandati ynë në lidhje me fëmijët në situatë rrugë është mbrojta e interesit të tyre, e ajo është largimi nga rruga, vendosja e tyre në shkollë, në familje dhe sa më larg mundësisë së abuzimit, trafikimit apo edhe përdorimit të substancave narkotike”.

Mujku po ashtu tregoi se vetëm gjatë këtij viti janë trajtuar mbi 100 raste, dhe se prej tyre kanë rezultuar vetën 2-3 që janë nga Komuna e Prishtinës, dhe se shumica janë nga komunat tjera të Kosovës ose Shqipëria, dhe se më pas bashkëpunojnë me institucionet përkatëse, por që ata i trajtojnë fëmijët pa dallim asaj se prej nga vijnë ose kush janë.

“Statistikat thonë se rreth 90 përqind të rasteve kanë qenë nga komuniteti Ashkali dhe 10 përqind nga komuniteti Rom. Por ky numër kohët e fundit ka ndryshuar sepse është edhe një pjesë e konsiderueshme edhe e fëmijëve shqiptarë që i janë bashkangjitur bashkë me familjet e tyre”.

“Shumica e familjeve janë përfitues të asistencës sociale. Por shuma është jashtëzakonisht e vogël që s’i përmbushë nevoja të familjes dhe shumë prej atyre familjarëve po detyrohen të dalin në rrugë, sepse sipas tyre, rruga i ofron më shumë para”.

Sipas Mujkut, përgjegjësia ndaj fëmijës është nga familja, por institucionet duhet të kujdesen që t’i sigurojnë familjarëve ndonjë vend pune.

Po ashtu, ai për Klan Kosova tregoi se kur dalin në terren për t’i larguar fëmijët që kërkojnë lëmoshë, hasin në vështirësi prej vet qytetarëve.

“Ne dalim me broshura dhe fushatë vetëdijesuese dhe shumë shpesh qytetarët na pengojnë duke na thënë ‘pse jeni çu peshë, pse po i pengoni, lërini fëmijët të fitojnë para’, pra qytetarët shumë shpesh dalin e na bëjnë pengesa.

Ai apeloi që të mos u jepen fëmijëve centa, sepse vlerësoi se kështu po i humbet ardhmëria e shkolla, pasi ata po përfitojnë prej rrugës dhe nuk mendojnë më të gjenerojnë të ardhura vet.

“Ka aq shumë biznese që kërkojnë fuqi punëtore që s’nevojitet asnjë diplomë, por ne nuk e shohim asnjë person të vetëm prej atyre që del të kërkojë lëmoshë që nuk ka asnjë mundësi për të punuar diçka”.

Të ngjashme