Mujku nga Qendra për Punë Sociale: Rastet e dhunës në familje janë shtuar

Prishtinë | 26 Pri 2022 | 22:59 | Nga Ekonomia Online

Vehbi Mujku nga Qendra për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës ka thënë se është rritur numri i rasteve të dhunës në familje nga vitet e kaluara.

“Kemi numër të rritur të rasteve, diku rreth 22% mesatarisht çdo vit, vitin e kaluar i kemi trajtu 219 raste, kurse këtë vit vetëm tre muajt e parë 71 raste, që në qoftë se shkojmë më këtë matematikë, deri në fund të vitit do t’i kemi rreth 280 raste të dhunës në familje”, tha Mujku në emisionin “Tempus” në KTV.

Ai shtoi se muaji prill ka qenë ndoshta prej muajve më të ngarkuar dhe shifrat që do të dalin nga raportet do të jenë shumë shqetësuese.

Mujku tha se si Qendër për Punë Sociale janë të parët që intervenojnë pas lajmërimit të policisë lidhur me këto raste.

“Qendra për Punë Sociale intervenon në secilin rast, jemi ata të parët të cilët pas lajmërimit të policisë në intervenojmë, ne si Komunë e Prishtinës kemi siguru për këtë punë edhe punëtorin kujdestar 24 orë, pra përkundër që disa akterë mungojnë shumë herë në reagim, në rast, ne jemi aty çdo herë brenda afatit maksimal”, tha ai.

Të ngjashme