Mungesa e rrymës, KEDS: S’ka reduktime, në disa zona ka probleme teknike

Prishtinë | 19 Jan 2021 | 18:57 | Nga Ekonomia Online

Derisa Prishtina, Fushë Kosova dhe shumë qytete dhe fshatra në Kosovë po ankohen për mungesë të theksuar të energjisë elektrike nga KEDS-i po thonë se nuk ka reduktime.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka deklaruar se përpos që nuk ka mungesë të energjisë elektrike dje është thyer një rekord i konsumit.

“Nuk ka reduktime. Dje është thyer rekordi i konsumit të energjisë elektrike në vend. Janë ofruar 1300 megavat orë energji elektrike në orën 22:00 të mbrëmjes që është një rekord absolut i të gjitha kohërave për energjetikën kosovare që është tregues i qartë që përpos që nuk ka ndalesa të energjisë elektrike po thyhen rekordet e konsumit”.

“Kemi pasë disa probleme aty-këtu me një numër të vogël të konsumatorëve, por ju siguroj se mbi 99 % të konsumatorëve janë duke u furnizuar në baza të rregullta. Është fakt që kemi pasë disa probleme, më shumë të natyrës teknike, në Fushë Kosovë. Dihet që para dy muajsh e kemi funksionalizuar komplet rrjetin e ri të tensionit të mesëm, prandaj kemi pasë disa probleme teknike pjesën më të madhe të të cilave i kemi zgjidhur dhe deri nesër do të zgjidhen edhe problemet e tjera”.

Buzhala, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se në fshatrat e Prishtinës, Prapashticë dhe Dabishec, që kanë pasë telashe të mëdha me rrymën nuk ka reduktime, por prishje.

“Aty ka prishje. Duhet ta dallojmë prishjen nga ndalesa e energjisë elektrike. Janë paraqitur një varg i madh i prishjeve për shkak të terrenit malor. Prishjet ndodhin gjithkund në botë, edhe në vendet më të zhvilluara, gjatë dimrit në kushte të rënduara atmosferike. Të gjitha ekipet e Prishtinës i kemi dërguar atje me ditë të tëra që t’i sanojnë ato prishje. Në ato zona të thepisura malore ka numër të vogël të konsumatorëve atje, por ne i konsiderojmë të gjithë konsumatorët njëjtë. Nesër pritet që të sanohen përfundimisht të gjitha prishjet”.

Ai ka thënë se në disa zona mund të ketë probleme me furnizimin me energji elektrike si pasojë e ngrohjes enorme me energji elektrike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme