Mungon i akuzuari dhe avokati, dështon gjykimi për kontrabandë me naftë në vlerë mbi tre milionë euro në veri të Kosovës

Prishtinë | 23 Shk 2021 | 14:38 | Nga Ekonomia Online

Për të shtatën herë me radhë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka dështuar të nis gjykimi ndaj të akuzuarve për krim të organizuar, kontrabandë me mallra, shmangie nga tatimi e vepra tjera, Millan Bozhoviq dhe Zhelkjo Millashinoviq.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) i akuzon Millan Bozhoviqin e D. B. dhe Zheljko Millashinoviqin, se kanë blerë karburante në Serbi dhe ato i kanë dërguar ilegalisht në pompat e benzinës në veri të Kosovës, në vlerën e mbi tre milionë eurove, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë çështje penale ka qenë i akuzuar edhe D. B., mirëpo ndaj tij kishte pushuar procedura penale për shkak se ai rezultonte i vdekur.

Si arsye për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa e të akuzuarit Zheljko Millashinoviq dhe mbrojtësit të të akuzuarit Bozhoviq, avokatit Faruk Korenica.

Për mungesën e të akuzuarit Millashinoviq, gjykatësja e rastit Valbona Selimaj njoftoi se nuk kishin pranuar asnjë informacion zyrtar, pas dërgimit të ftesës për këtë të akuzuar përmes Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar të MD.

Në mungesë të konfirmimit zyrtar, gjykatësja Selimaj tha se i akuzuari Millashinoviq nuk konsiderohet të jetë ftuar në mënyrë të rregullt.

“Mungon Zheljko Millashinoviq, të cilin gjykata përmes Ministrisë së Drejtësisë, Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar ka dërguar ftesë, por që deri më sot nuk ka pranuar asnjë informacion nëse i njëjti e ka pranuar ftesën përmes ministrisë, andaj në këto rrethana edhe gjykata konstaton se i njëjti nuk është ftuar në mënyrë të rregullt”, tha gjykatësja Selimaj.

Ndërsa, mungesa e avokatit Faruk Korenica, sipas gjykatëses arsyetohej me faktin se ai në këtë datë është i angazhuar në një seancë tjetër, çështje kjo me paraburgim.

“Mungon avokati Faruk Korenica, i cili e ka njoftuar gjykatën përmes një parashtrese të datës 18 shkurt, se në ditën e sotme në të njëjtën kohë ka një seancë te gjykatësja Albina Shabani-Rama, është çështje me paraburgim, ku janë më shumë të akuzuar, dhe meqenëse atje është çështje me prioritet me masë të paraburgimit ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet për një datë tjetër në mungesë të tij”, ka thënë gjykatësja.

Në rrethana të tilla, gjykatësja Selimaj konstatoi se nuk ka kushte ligjore për hapjen dhe vazhdimin e kësaj seance.

Seanca e radhës do të mbahet më 15 prill nga ora 10:00, ku në rast të mungesës së serishme të të akuzuarit Millashinoviq do të bëhet veçimi i procedurës ndaj tij, për ta pamundësuar prolongimin e mëtejmë të kësaj çështje penale.

Në këtë çështje penale, për shkaqe të ndryshme, nuk kishin arritur të mbaheshin seancat e 18 shtatorit e 20 dhjetorit 2019, e as seancat e 27 janarit, 26 marsit, 18 qershorit dhe 1 tetorit 2020.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 1 korrik 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Millan Bozhoviq, Dragomir Bozhoviq dhe Zhelkjo Millashinoviq, me të cilën po i akuzon se në periudhën kohore nga 22 maji 2009 deri më 14 korrik 2011, me dashje dhe dijeni dhe me qëllim që si grup të kryejnë vepra kriminale që janë të dënueshme me burgim së paku katër vjet aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtari kriminale.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit Millan dhe Dragomir Bozhoviq dhe Zhelkjo Millashinoviq, e kanë shfrytëzuar mungesën e doganierëve kosovarë në pikat 1 dhe 31 përkatësisht në Leposaviq dhe Zubin Potok, e duke qenë se doganierët e EULEX-it vetëm kanë regjistruar mallin, por zhdoganimi është bërë në pjesën jugore të Mitrovicës, kjo gjë, sipas akuzës ju ka krijuar kushte të përshtatshme të akuzuarve për kontrabandë me mallra, shmangie doganore dhe tatimore, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Millan dhe Dragomir Bozhoviq, si pronar të regjistruar të kompanisë “P.P MIN PROM” dhe Zhelkjo Millashinoviq si vozitës i mauneve të kësaj kompanie, kanë blerë karburante në Serbi dhe të njëjtat i kanë futur ilegalisht në Kosovë, përmes kompanisë së lartcekur, e cila nuk posedon licencë për import të karburanteve.

Karburantin e blerë, sipas PSRK-së, të akuzuarit nuk e kanë zhdoganuar, por e kanë dërguar direkt në pompat e benzinës në veriun e Kosovës dhe duke qenë se nuk kanë paguar tatim, kjo sasi e karburantit ishte shitur me çmim më të lirë, se sa ai i tregut.

Vlera e përgjithshme që të akuzuarit po akuzohen se e kanë futur nga Serbia në Kosovë kap shifrën e 3,035,911.36 euro, ndërsa dëmi që i është shkaktuar Doganave dhe Administratës Tatimore të Kosovës, duke iu shmangur akcizës arrin shumën 1,243,348.59 euro, pastaj llojit të tatimit në emër të TVSH-së, në shumë prej 684,681.60 euro, tatimit të paragjykuar 3% në vlerën e shitur në shumën prej 92,705.43 euro dhe në emër të kontributeve pensionale në shumën prej 30,901.81 euro.

Me këto veprime të tyre, tre të akuzuarit, sipas prokurorisë, kanë kryer veprën penale, të krimit të organizuar lidhur me veprat penale, kontrabandimi i mallrave, shmangia nga tatimi dhe shmangia nga akciza dhe detyrimet e importit.

Të ngjashme