“Mungon vullneti për ta luftuar korrupsionin”

Prishtinë | 30 Jan 2017 | 11:02 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Institucioneve të Kosovës u mungon vullneti për ta luftuar korrupsionin, e cila është pika kyçe për liberalizimin vizave.

Kështu u tha në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, në të cilën u diskutua për raportin e Transparency International, i publikuar ditë më parë.

Artan Canhasi, nga organizata KDI theksoi se Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit ku është notuar me 36 pikë dhe tani gjendet në vendin 95 nga 176 vende të botës, nga 33 që i ka pasur në vitin e kaluar.

“Kosova prapë renditet pas vendeve të rajonit. Këto shifra i atribuohen shtetit dhe me 36 pikë nuk qëndron shumë mirë”, ka thënë ai, raporton Ekonomia Online.

“Ajo që qëndron keq është shëndetësia. 300 milionë euro të premtuara nga ShBA-ja kanë humbur për shkak të korrupsionit”, ka thënë ai.

Po ashtu, Canhasi ka theksuar se financimi i partive publike duhet të bëhet publik, ndërsa, emërimi dhe përzgjedhja e kandidatëve në institucionet e pavarura është shqetësuese, sepse shpesh bëhen me emërime partiake.

Ndërsa, Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit ka treguar se kanë qenë të ftuar edhe përfaqësues  nga Ministria e Drejtësisë, por që nuk kanë interesim për të diskutuar për këtë çështje.

Ajo gjithashtu foli edhe për financimin e partive politike, e cila tregoi se të premten do të takohet me drejtues të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe të Komisionit për Buxhet dhe Financa.

“Nuk mjafton vetëm publikimi i financave të partive politike, por edhe auditimi i tyre”, ka thënë Haxhiu.

Valdete Bajrami, anëtare e Komisionit nga Nisma, tha se prezantimi i Canhasit nuk është diçka e re, por shtoi se e rëndësishme është që shëndetësia, gjyqësori dhe institucionet e pavarura vazhdojnë të jenë pikat kyçe të korrupsionit.

Ajo tha se tema të cilën po e diskutojnë është pika kyçe për liberalizim të vizave dhe jo vetëm demarkacioni.

“Shteti dhe ata që janë në krye të shtetit nuk kanë vullnet të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Bajrami.

Ndërsa, Pal Lekaj, anëtarë i komisionit nga AAK-ja tha se ata që kanë përgjegjësi të luftojnë korrupsionin nuk janë pjesëmarrës në këtë tryezë.

“Është për me të ardhur keq që Qeveria e lufton korrupsionit vetëm në bazë të Facebookut. Për anëtarët e Qeverisë korrupsioni është vetëm perceptim. Nëse marrim të gjitha ndërmarrjet publike nuk ka vend që respektohet ligji”, ka thënë Lekaj.

“Me ligj sanksionohen, por përgjegjësit e tyre se qajnë kokën për këtë”, shtoi ai.

Lekaj vazhdoi duke thënë se për sektorin e shëndetësisë fajtor është pushteti, sepse nu ka menaxhim të duhur.

Të ngjashme