Murati: Çështja e personave me probleme mendore nëpër rrugë të trajtohet me seriozitet

Prishtinë | 10 Tet 2018 | 13:51 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë sot në Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor, se është shtuar në vend jashtëzakonisht shumë numri i njerëzve me probleme mendore që sillen në rrugë dhe jetojnë pa përkujdesje institucionale.

Ai ka theksuar se me këtë problem duhet të merren seriozitet institucionet duke filluar nga ato qendrore.

“Sot është Dita Ndërkombëtare e Shëndetit Mendor, e edukimit për shëndetin mendor, për ngritjen e vetëdijes, avokimin dhe luftimin e stigmës që shoqëria prodhon për këtë kategori të shoqërisë. Ajo që është evidente dhe mund të shihet me sy, është se në qytetet tona, e këtë mund ta flas me përgjegjësi të plotë për Prishtinën, është shtuar jashtëzakonisht shumë numri i njerëzve me probleme të shëndetit mendor të cilët sillen rrugëve dhe jetojnë pas asnjë përkujdesje qoftë institucionale, por si duket çdo herë e më pak edhe familjare. Është koha, që të gjithë, duke filluar nga institucionet qendrore e tek ato komunalet, nga komuniteti, familjet e tek qytetarët të mobilizohemi dhe këtë çështje ta trajtojmë me shumë më shumë seriozitet se që është trajtuar deri më tani”, ka thënë Murati përmes Facebook.

Sipas tij lënia e personave të tillë pa asnjë kujdes, përveç që është shenjë e një degradimi të thellë institucional e shoqëror në këtë drejtim, mungesë humanizmi e empatie njerëzore, herë pas here përbën edhe rrezik sidomos për jetën e fëmijëve por edhe të rriturve.

“Institucionet tona do të duhej të mobilizoheshin që të krijonin më shumë kushte dhe hapësira për trajtim të specializuar në institucionet e shëndetit mendor, të krijonin më shumë hapësira për trajtimin e tyre në hapësirat e dedikuara për ta në komunitet, e së bashku edhe me shoqërinë civile do të duhej të punohej më shumë në ngritjen e vetëdijes tek familjet tona për trajtimin e problemeve të shëndetit mendor tek anëtarët e familjes që në fazat e para të shfaqjeve të tyre. Përfshirja e mekanizmave të tjerë, të cilët do të ndihmonin punësimin e tyre dhe integrimin në shoqëri të atyre që janë rehabilituar do të ishte një hap tjetër me rëndësi për zvogëlimin e pasojave që këto sëmundje bartin pastaj jo vetëm për individin, por edhe për familjen dhe shoqërinë”.

“Një pjesë e rëndësishme e angazhimit, ndoshta më e rëndësishmja do të duhej të përfshinte jo vetëm identifikimin që në fëmijëri të shenjave të para të sëmundjeve mendore dhe trajtimin e tyre me kohë, por edhe rritjen e përkujdesit për fëmijët që në institucionet parashkollore e në tërë fazat e shkollimit formal. Gjithashtu është për keqardhje që deputetët refuzuan kërkesën për financim për angazhimin e mësuesve shtesë për fëmijët me aftësi të kufizuara (përfshirë ata me probleme të shëndetit mendor). Duhet angazhim serioz gjithashtu për krijimin e kushteve për një shoqëri më të drejtë, më të barabartë e më të zhvilluar, ku fëmijët do të rriteshin pa streset e jetës së përditshme dhe traumat që mund të marrin për shkak të gjendjes së rënduar socio-ekonomike të familjes dhe mundësisë të konflikteve dhe shkatërrimit të saj”.

Të ngjashme