Murati: Çnjohjet – politikë e Daçiqit, liderët tanë mos ta përdorin për vota

Prishtinë | 11 Sht 2019 | 12:59 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Serbia në vazhdimësi po insiston se disa shtete tashmë kanë tërhequr njohjen për Kosovën. E një deklaratë të tillë e dha ditë më parë edhe zëvendëskryeministri në detyrë, Enver Hoxhaj, i cili tha se kanë informata që 10 shtete kanë tërhequr njohjet për shtetin e Kosovës.

Ndërkaq edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, tha se Serbia po lobon për çnjohje të Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Artan Muratit, tha për EkonomiaOnline, se me deklarata të tilla, nuk duhet të bëhet fushatë politike.

 Ai tha se politikanët tanë nuk duhet të përdorin linjën e njëjtë të fushatës, si ajo ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

“Kjo nuk është çështje me të cilën do duhej të bëhej fushatë elektorale, sepse e tejkalon përgjegjësinë dhe e tejkalon secilin subjekt politik. Është temë shumë e madhe për të cilën dëmi mund të jetë shumë më i madh nëse bëhet fushatë me këtë çështje. Unë konsideroj që në asnjë rrethanë nuk guxojnë që asnjë subjekt politik të ia lejojë vetes që të bëj fushatë me të njëjtën linjë siç po bën fushatë Daçiq, konsideroj që të gjithë duhet të fokusohen që një çështje e tillë të përfundojë sa më shpejtë”, u shpreh Murati.

Sipas tij, politikanët tanë duhet të fokusohen më shumë në ruajtjen e shtetësisë së vendit.

Ndërsa fton qytetarët që të ndëshkojnë politikanët që nuk kanë punuar sa duhet në rrafshim e diplomacisë së jashtme, përfshirë dështimin në prurjen e njohjeve të reja.

“Duhet të jetë interes i secilit subjekt politik që të sigurojë sa më tepër njohje të reja dhe t’i garantojë njohjet ekzistuese, duke ruajtur raportet me shtetet të cilat na kanë njohur, e jo të merremi me faktin se a janë tërhequr njohjet apo jo. Tash në kohë të fushatës kur kjo çështje mund të bëhet në vazhdimësi dhe normalisht që fokusi duhet të jetë që ta ruajmë shtetësinë e Kosovës. Mirëpo gjithsesi për gjitha aspektet nëse ka pasur keqqeverisje ose nëse me të vërtetë është fajtore politika kosovare se pse po tërhiqen njohjet, atëherë normalisht që nuk do duhet që  qytetarët ta lenin pa ndëshkuar këdo që është marrë me këtë çështje dhe që nuk e ka kryer detyrën si duhet”, thotë ai.

Ai tha se agresioni diplomatik i Serbisë nuk është ndalur ende dhe se subjektet politike duhet të jenë më të kujdesshme dhe të përgjegjshme karshi interesit shtetëror.

“Një gjë është e sigurt e dimë që Serbia tash e sa kohë është duke bërë agresion diplomatik ndaj Kosovës e sidomos në çështjen e tërheqjes së njohjeve dhe kjo është një temë e cila e prek të gjithë shtetin Kosovës, e jo si parti të caktuara politike, ndonëse normalisht që përgjegjësia më e madhe bie tek subjektet të cilat e kanë udhëhequr Ministrinë e Punëve të Jashtme, tash e disa kohë”, tha Murati.

Të ngjashme