Murati kërkon që studentët nga diaspora të bëjnë praktikë në biznese dhe në OJQ

Prishtinë | 24 Mar 2017 | 16:01 | Nga

Ministri i Diasporës,Valon Murati, priti në një takim përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Klubit të Prodhuesve të Kosovës dhe të CiviKos-it, të cilët i njoftoi për dy projekte të Ministrisë së Diasporës dhe u ofroi bashkëpunim në realizimin e tyre.

I pari projekt ka të bëjë me zgjerimin e projektit të praktikave të studentëve të diasporës edhe në biznese dhe OJQ. Ministri Murati u tregoi përvojën e deritanishme të këtij projekti në institucionet publike dhe shtroi idenë e zgjerimit të tij edhe në biznesin privat dhe shoqërinë civile.

Me këtë rast, ministri Murati kërkoi nga të pranishmit që studentëve të interesuar nga diaspora t’u krijohet mundësia ta kryejnë praktikën në biznese të ndryshme. Ata e mirëpritën këtë projekt, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim.

Po ashtu, ministri ua paraqiti projektin që ka të bëjë me përfshirjen afatshkurtër të ekspertizës nga diaspora në fusha të ndryshme të aktiviteteve në Kosovë dhe kërkoi që edhe në këtë fushë të realizohen projektet e përbashkëta. Si me përfaqësuesit e biznesit, ashtu edhe me ata të diasporës u shtrua nevoja e shfrytëzimit të ekspertizës nga diaspora në zhvillimin ekonomik, arsimor dhe institucional në Kosovë.

Shumë shpejt pritet që me përfaqësuesit e bizneseve dhe të shoqërisë civile të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi, ku do të përcaktohen detajisht mënyrat e bashkëpunimit në realizimin e këtyre projekteve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme