Murati merr kritika për emërimin e tre drejtorëve në diasporë

Prishtinë | 04 Nën 2016 | 11:24 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Diasporës, Valon Murati, ka marrë kritika nga anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për emërimin e tre drejtorëve në diasporë pa konkurs dhe të cilët paguhen nga linja buxhetore për mallra dhe shërbime, e jo nga lista e pagave.

Këto kritika ai i ka marrë gjatë raportimit të Raportit të Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Diasporës.

Ministri Murati theksoi se Raporti i Auditimin ndikon që edhe ekzekutivi të jetë i informuar për këto çështje. Ai ka theksuar se kanë vizituar Auditorin e Përgjithshëm për t’i diskutuar problemet dhe vështirësitë që i kanë në ministri.

“Problemet janë strukturore, por jo nga ministria jonë. Nëse marrim rekomandime se ku është kërkuar më shumë për subvencione, ne do të paraqesim një listë të zezë të institucioneve që nuk do lejojmë të marrin pjesë për arsye që nuk i janë përshtatur kërkesave tona”, ka thënë ai.

Murati ka theksuar se nuk janë futur në listën e pagave nga Ministria e Financave disa shërbyes civilë, raporton Ekonomia Online.

“Një problem tjetër strukturor janë pagesat jashtë vendi, sepse ne kemi aktivitete jashtë vendit e që është e pamundur të realizohen pa pagesë me avance, e shpesh s’mund t’i realizojmë disa aktivitete për arsye të pagesës me avans të cilat kryesisht ndodhin në vendet e Bashkimit Evropian, si Gjermani, Austri etj.”, ka thënë Murati.

Anëtari i këtij komisioni, Ali Sadria, nga radhët e LDK-së ka theksuar se proceduat e regjistrimit nuk janë vendosur nga ministria, mirëpo “te çështja e shpenzimeve, sikur e thatë dhe vetë, duhet të eliminoni çështjen e avanseve”.

“Ministria e Diasporës ka angazhuar dy artistë me kontratë mbi vepër, i keni angazhuar pa konkurrencë. Keni shpenzuar mbi 35 mijë euro për 22 aktivitete”, ka thënë Sadria.

Ndërsa, Enver Hoti, deputet i Nismës, ka kërkuar shpjegim nga ministri Murati se mbi bazën e cilit konkurs janë emëruar drejtorët e jashtëm në diasporë.

“Të paguani tre drejtorë të jashtëm në diasporë, pse nuk e keni respektuar konkursin, në çfarë konkursi ato paga që i marrin, në çfarë baze i keni emëruar. Çka po ndodh, pse i keni emëruar dhe i keni paguar nga sektori mallrat dhe shërbimet”, ka thënë Hoti.

Hajdar Beqa nga radhët e PDK-së ka kërkuar nga ministri Murati që mos të përsëritet më emërimi i drejtorëve të jashtëm që a dalë si e gjetur nga Raporti i Auditimit.

“Nëse nuk mundeni ju si ministri me i qitë në vijë të rregullt, ata duhet të largohen ose mos të paguhen me sektorin e mallrave, por të paguhen ashtu siç paguhen të gjithë”.

Në përgjigjet e tij, ministri Murati ka theksuar se për drejtorët e emëruar nuk kanë mundur t’i fusin në listën e pagave.

“Dhe për me i larguar ata drejtorë duhet me i mbyllë edhe qendrat kulturore. Rregullorja për rregullimin e qendrave nuk është pranuar asnjëherë. Janë dy mundësi: E vetmja mundësi nëse ju llogaritni që duhet me i mbyllë qendrat… Nëse unë i mbylli ato qendra do të na sulmojnë të gjithë pse i kemi mbyllur. Nëse mundeni me i futë e me e rrit numrin e tyre në listën e pagave, do të ishte më mirë. Ju nuk po i arrini me i futë në listë të pagave ata duhet t’i paguajmë. Ata drejtorë i kam gjetur e nuk i kam ndërruar”, ka thënë Murati.

Të ngjashme