Murati për nominimin e Borrellit: Politikat e BE-së nuk përcaktohen nga një njeri i vetëm

Prishtinë | 05 Kor 2019 | 08:39 | Nga Ekonomia Online

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka komentuar raportin e fundit të Këshillit të Ministrave të BE-së që nuk solli lajme të mira për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Edhe ai raport ose qëndrim i Këshillit të Ministrave thjesht ishte refleksion që tani më dihej”.

“Me vet zhvillimet brenda BE-së jemi në një situatë ku edhe vet Bashkimi Europian nuk ka plan të qartë se si të procesojë tutje me Ballkanin Perëndimor, sidomos problemi më i madh qëndron te Kosova për faktin e mosnjohjes së saj nga pesë shtetet anëtare të BE-së”.

“Ai raport ishte edhe një kthim në realitet për Kosovën, sidomos për institucionet tona sepse shpesh herë kemi parë se liderët politikë janë të shkëputur nga realiteti”.

Murati në Sytë 7 në Klan Kosova ka thënë se janë tri kritere kryesore, që njihen si kriteret e Kopenhagës, për anëtarësim në Bashkimin Europian – ato politike, ekonomike dhe administrative.

Ai ka thënë se Kosova ka ende shumë punë në plotësimin e këtyre kritereve.

“Kosova sa i përket legjislacionit në letër e ka në masë të madhe në përputhje me atë të BE-së, por problemi më i madh është zbatimi i atij legjislacioni”.

“Mos të flasim pastaj për Administratë Publike që është e stërngarkuar dhe politike e mbushur me militantët politikë që është diçka që vërehet vazhdimisht”.

“Kemi edhe probleme më të mëdha, aspekti politik, relacioni me Serbinë dhe kështu me radhë”.

Murati ka folur edhe për udhëheqësinë e re e BE-së me theks të veçantë për nominimin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Spanjës për postin që aktualisht e mban Federica Mogherini.

“Lajmi më i mirë në këtë aspekt është vetëm përbërja e Parlamentit Europian. Me gjithë frikën se mund të ketë rritje të subjekteve të ekstremit të djathtë, balanca politike nuk është se ka lëvizur shumë”.

“Brenda Parlamentit Europian sërish ekziston një klimë pozitive sa i përket procesit të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën në veçanti”.

“Frika më e madhe e qytetarëve të Kosovës është për nominimin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Spanjës për postin e Përfaqësuesit të Lartë BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri”.

“Fakti se vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës dhe ka pasë qëndrim personal kundër shtetësisë së Kosovës normalisht që mund të shihet si barrierë se si do ta udhëheqë politikën e jashtme të BE-së”.

Megjithatë, ai ka thënë se “politikat e BE-së nuk përcaktohen nga një njeri ose institucion i vetëm, por dakordohen në Këshillin Europian ose mes shteteve anëtare”.

Madje, ai sheh edhe diçka pozitive që mund të ndodhë me emërimin e tij në postin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

“Josep Borrell gëzon reputacion shumë të mirë në Serbi dhe ndoshta do të shërbejë si urë lidhëse që do ta kthejë Serbinë në tavolinën e negociatave”.

Sipas Artan Muratit nga KDI, udhëheqja e presidencës së Bashkimit Europian nga Finlanda është e ngjashme me çështjen e udhëheqësve të BE-së.

“Çështja e presidencës vlen sikur për udhëheqësit e BE-së, pra nëse nuk ka disponim nga shtetet ose institucionet tjera as presidenca nuk mund të bëjë mrekulli”.

Ndërsa sa i përket liberalizimit të vizave ai ka thënë se liderët politikë nuk duhet të japim më premtime.

“Liderët tanë politikë nuk e kanë kuptuar procesin si duhet dhe duhet edhe liderët të tërhiqen nga tendenca e premtimeve të afateve kohore”.

“Shansat për liri të lëvizjes këtë vit janë pothuajse zero sepse një proces i tillë nuk mund të kryhet brenda ditës”.

Por, a pritet të ketë zgjedhje të parakohshme në Kosovë?

“Subjektet opozitare tash e sa kohë po e proklamojnë mocionin, por nuk ka pasë bashkëpunim opozitar sepse ka pasë çarje të thella sidomos nga Vetëvendosja dhe PSD-ja me njëra-tjetrën dhe kjo është reflektuar edhe në mocion”.

“Opozitës i duhen vetëm 3-4 vota dhe këto vota mund t’i gjejnë shumë lehtë nëse janë shumë kërkues”.

“Por, opozita nuk është se e kanë marrë me seriozitet maksimal sepse më tepër kjo ide është proklamuar në media dhe studio televizive se sa që është punuar”.

“Subjektet në opozitë duhet të kenë plan të qartë se si do të procedojnë tutje dhe nëse i kanë votat të shkohet me zgjedhje të parakohshme”.

“Një gjë mund ta them me siguri se nëse nuk ka lëvizje të forcave brenda pozicioneve aktuale politike do të jetë e vështirë të mbeten funksionale institucionet”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme