Murati: Qeveria ta zgjidhë urgjentisht problemin me Manastirin e Deçanit

Prishtinë | 28 Maj 2018 | 14:42 | Nga

Rruga Deçan-Plavë është jetike për shqiptarët që jetojnë në Plavë, Guci dhe trevat e tjera në Mal të Zi. Kështu ka thënë Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati.

Sipas tij, problemin e dalë me Manastirin e Deçanit, qeveria duhet ta zgjidh urgjentisht.

“Sidoqoftë, edhe kjo krizë, dëshmon se korniza aktuale ligjore dhe kushtetuese e vështirëson funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Në anën tjetër Kishës Serbe, pakicës serbe e rrjedhimisht Serbisë i jep privilegje të tilla, të cilat sa herë të duan e pengojnë këtë funksionalitet, qoftë edhe me pengimin e projekteve të tilla infrastrukturore”, ka shkruar Murati në Facebook, transmeton Koha.net.

Tutje, Murati ka shkruar se Manastiri i Deçanit dhe komuniteti fetar serb do të duhej të kuptonte që e vetmja mënyrë për avancimin e marrëdhënieve të mira me shqiptarët, është njohja e realitetit dhe bashkëpunimi me ta në të mirën e dyanshme.

“Ndërtimi i rrugës ia rrit vlerën kulturore e turistike edhe Manastirit të Deçanit, si një pasuri kulturore e njerëzimit. Përndryshe keqpërdorimi i privilegjeve të garantuara me ligje e Kushtetutë, dhe zbatimi i tyre në dëm të shumicës, në realitet veç e vështirëson pajtimin në mes të popujve dhe pozitën e pakicës serbe në Kosovë”, ka përfunduar Murati në një shkrim të tij.

Të ngjashme