Mustafa: Kosova ka arsye të mos ulet në tryezë të bisedimeve me Aleksandër Vuçiqin, derisa ai t’i tërheqë fjalët e veta

Prishtinë | 13 Nën 2020 | 14:48 | Nga Ekonomia Online

Kërcënimet e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për luftë, kanë ngjallur shumë reagime në Kosovë. Këto deklarata po i sheh jo serioze kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Mustafa për Gazetën Objektiv ka pohuar se vendosja e ushtarëve të KFOR-it në Kosovë është pikërisht arsyeja pasi këta të fundit e njohin mirë politikën serbe.

“Krekosjet e Presidentit të Serbisë nuk duhet t’i marrim seriozisht. Në Kosovë jo rastësisht qëndron misioni i NATO-s. Ata që kanë vendosur që KFOR-i të qëndroj këtu, e kanë njohur mirë Serbinë dhe prirjet e saj për krime. Krahas kësaj ngritja e potencialeve mbrojtëse të ushtrisë sonë me përkrahje të shteteve më të fuqishme bëhet me qëllim të krijimit të një ekuilibri të paqes”, ka thënë për Objektiv Mustafa.

Mustafa madje thotë se tashmë Kosova ka arsye të mos e vazhdojë dialogun me Serbinë.

“Megjithatë, pa pasur asnjë frikë nga krekosjet e tilla, Kosova ka arsye të mos ulet në tryezë të bisedimeve me Aleksandër Vuçiqin, përderisa ai t’i tërheqë fjalët e veta”, tha mes tjerash Mustafa.

Sjelljen e Vuçiqit karshi shtetit të Kosovës, kreu i LDK-së e arsyeton me presionin mbi palën kosovare në proces të dialogut.

Ai thotë se deklaratat e fundit të presidentit serbë, tanimë janë përgjegjësi e Bashkimit Evropian, dhe si të tilla sipas tij, BE-ja duhet të ballafaqohet tani me to.

“Jam i bindur që kjo sjellje Vuçiqit ka për qëllim presionin mbi palën kosovare në proces të dialogut. Kosova ka të drejtë plotësisht që të refuzoj këtë qasje. Tani është në duart dhe përgjegjësinë e BE-së të ballafaqohet me këtë situatë”, theksoi më tej Mustafa.

Në anën tjetër, sa i përket zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, pas dorëheqjes së ish-presidentit Hashim Thaçit, Mustafa është shprehur pesimist, pasi që siç thotë ai zgjedhja e presidentit kërkon shumicë parlamentare për tu votuar më pas në Kuvend.

“Sa i përket takimeve për zgjedhjen e Presidentit, jam shprehur se duhet të presim pak kohë tani pas arrestimeve, sepse si koalicion nuk kemi fuqi ta zgjedhim presidentin vet pa subjektet tjera parlamentare”, ka deklaruar Mustafa për Objektiv duke shtuar se LDK-ja do të koordinohet edhe me partitë e opozitës, kur ato të jenë gati. /Objektiv/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme