Mustafa mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes për kontrollin e përbashkët kufitar me Shqipërinë

Prishtinë | 22 Qer 2019 | 11:35 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa ka vizituar Pikën e Përbashkët të Kalimit kufitar me Republikën e Shqipërisë, në Vërmicë-Morinë, për të parë nga afër zbatimin e marrëveshjes për kontrollin e përbashkët kufitar.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës kanë bërë angazhime shtesë me qëllim të menaxhimit më të mirë të kalimit në Pikat Kufitare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, në këtë fillim të sezonit veror.

Me këtë rast, ministri Mustafa shprehi përkushtimin e MPB-së për zbatimin e kësaj marrëveshje me qëllim lehtësimin e kalimit kufitar, mirëpo tregoi edhe për disa vështirësi që po has zbatimi i plotë i marrëveshjes.

“Kalimi i qytetarëve nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas po realizohet me procedura të lehtësuara nga Policia Kufitare duke evituar kështu pritjet e gjata. Vështirësi kemi në pjesën e kufirit të Shqipërisë për shkak të infrastrukturës së pamjaftueshme për kalimin e automjeteve e sidomos kamionëve dhe maunave nga Shqipëria në Kosovë ”, tha ministri Mustafa.

Nga fillimi i zbatimit të Marrëveshjes e deri në muajin e kaluar, në Pikën e Përbashkët të Kalimit kufitar Vërmicë-Morinë, kanë kaluar mbi 1 milion persona, prej të cilëve 685 mijë kanë hyrë në Kosovë, kurse 647 mijë në Shqipëri, ose gjithsej 544 mijë automjete të kategorive të ndryshme.

Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, prej muajit janar të këtij viti kanë funksionalizuar me financim të Bashkimit Evropian, Pikën e Përbashkët të Kalimit Kufitar Vërmicë-Morinë. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme