Mustafa nxjerr bilancin e javës, e cilëson domethënëse për Kosovën

Prishtinë | 04 Dhj 2016 | 17:22 | Nga

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në adresimin qytetarëve përmes profilit të tij në Facebook, ka thënë se kjo javë ishte shumë domethënëse për Kosovën.

“Festuam 28 Nëntorin, morëm njohjen shumë të rëndësishme nga Singapori, ratifikuam Marrëveshjen e IPA-s me BE-në që na mundëson tërheqjen e 78 milionë eurove, si dhe përkujtuam Presidentin Rugova në 72 vjetorin e lindjes”, ka thënë Mustafa, teksa ka folur edhe për vizitën në veri të vendit, e që ngjalli reagime në opinion për shkak të pengesës që iu bë nga rreth 200 serbë lokalë.

“Po ashtu, bashkë me dy ministra mora pjesë në përurimin e urës që lidh dy komunat veriore të Republikës së Kosovës. Përkundër propagandës agresive të Beogradit, ju them me kënaqësi se Republika e Kosovës me vendosmëri po e fuqizon subjektivitetin e saj shtetëror, në të gjitha aspektet”, ka thënë Mustafa, përcjell Koha.net. “Listës së gjatë të sukseseve në ekonomi, procese integruese e fusha të tjera, po i shtohen edhe të arritura konkrete në shtrirjen e sovranitetit dhe fuqizimin e shtetësisë”, ka shtuar më tej ai.

Mustafa ka thënë se rrugën e Kosovës drejt të ardhmes nuk mund ta bllokojë askush dhe në këtë rrugë nuk mund të na vonojë askush.
“Këtë po e dëshmojmë në praktikë dhe në terren, dita e ditës”, ka shkruar ai më pas.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme