Mustafa përkujton nënkryetarin e LDK-së Fadil Feratin, në 10- vjetorin e vdekjes

Prishtinë | 30 Jan 2020 | 09:34 | Nga Ekonomia Online

Në 10 vjetorin e vdekjes së nënkryetarit të LDK-së dhe kryetarit të Komunës së Istogut, Fadil Ferati, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dërgon këtë komunikatë për medie:

“Sot, bëhen dhjetë vite nga ndarja fizike e Fadil Feratit, kryetarit të Istogut, njërit nga veprimtarët e shquar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.  

Fadilin, është e vështirë ta përkufizosh me disa fjali ngase personaliteti i tij shumëdimensional ngërthente në vete vlera humane, patriotike e emancipuese për shoqërine dhe shtetin tonë. Ai i shërbeu vendit, si kryetar Komune, si nënkryetar i LDK-së dhe si njeri me virtyte të larta morale e politike.   

Në të gjitha zgjedhjet ku ai garoi dëshmoi pjekuri dhe maturi prej intelektuali duke u treguar i afërt me qytetarët dhe problemet e tyre të përditshme, andaj edhe fitoret dhe popullariteti i tij nuk ishin të rastësishme. 

Ikja e hershme e Fadilit për në amshim ishte një zbrastirë e pa zëvendësueshme për familjen në radhë të parë, pastaj për rrethin ku jetonte dhe natyrisht LDK humbi njërin nga kolosët e saj. 

Duke kujtuar burra si Fadil Ferati, LDK mbetet e motivuar që të punojë edhe më shumë në lartësimin dhe realizimin e misionit të shtet-ndërtimit, në të cilin Fadili kishte dekada jete e pune që po kontribuonte.  

Lavdi jetës dhe veprës së Fadil Feratit! 

Kujtimi për të qoftë i përjetshëm!”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme