Mustafa përkujton të ekzekutuarit në masakrën e Mejës dhe të zhdukurit në Kosovë

Prishtinë | 27 Pri 2020 | 12:44 | Nga Ekonomia Online

Sot, kryetari i LDK-së, Isa Mstafa në nderim të 21 vjetorit të masakrës së Mejës dhe Ditës së të Zhdukurve ka përkujtuar masakrën e Mejës dhe ditën e të zhdukurve:

“Sot, është Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve dhe për Kosovën ende është plagë e rëndë tash e mbi dy dekada. Aktualisht janë 1641 persona të zhdukur në gjithë vendin, familjarët e të cilëve presin me ankth për fatin e tyre.

Pranvera e vitit 1999 ka qenë padyshim më e rënda në historinë e Kosovës. Në këtë stinë Serbia filloi përpjekjet e fundit për të zhbërë popullin e Kosovës duke ekzekutuar me mijëra fëmijë, gra dhe burra. Kreu krime të tmerrshme kundër njerëzimit, shkatërroi, dogji dhe dëboi një popull nga shtëpitë e tyre.

Është e rëndë për shumë familje që 21 vite pas luftës në Kosovë, për fat të keq varret dhe eshtrat e më të dashurve të tyre nuk i dinë ende.

Kjo ditë koincidon edhe me Masakrën e Mejës, e cila është një nga krimet më monstuoze të forcave serbe mbi popullatën civile shqipare. Në këtë masakër janë vrarë mbi 376 burra të kësaj ane. “Lëdina e Pikëllimit” është e mbushur me varre të grave, burave, fëmijëve dhe të moshuarve të cilët nuk u kursyen.

Masakra e Mejës dhe shumë masakra tjera në Kosovë janë dëshmi e krimeve të Serbisë që janë kryer në vendin tonë.

Të gjitha këto ngjarje tronditën ndërgjegjen njerëzore të botës së civilizuar dhe kapërcyen çdo kufi. Serbia duhet sa më parë të kthej eshtrat e të zhdukurve dhe kryesit e krimit të përgjigjen para drejtësisë.

Sot, është një ditë më shumë që frymëzohemi për të punuar dhe dashur më shumë shtetin tonë”. thuhet në njoftimin e dërguar medieve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme