Mustafa takon liderët e Luginës së Preshevës

Prishtinë | 13 Dhj 2016 | 17:57 | Nga

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës në Gjilan ka zhvilluar një drekë pune me përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përkatësisht me deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Fatmir Hasani, kryetarin e Bujanocit, Shaip Kamberi, kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu, dhe kryetaren e Kuvendit Komunal të Preshevës, Ardita Sinani.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, ministri Haki Demolli dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, u bisedua gjerësisht për koordinimin, bashkëpunimin e gjithanshëm me liderët politikë, si dhe me përkrahjen e Republikës së Kosovës për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Mustafa theksoi përkushtimin e veçantë për zgjerimin e shumanshëm të bashkëpunimit, duke ofruar mbështetje konkrete për qytetarët që jetojnë në tri komunat.

Ai shprehu shqetësimin që qytetarët shqiptarë atje ballafaqohen me forma të diskriminimit dhe vështirësi të krijuara si pasojë e politikave të nivelit qendror në Serbi, duke shprehur përkujdesjen maksimale të Kosovës në këtë aspekt.

Përfaqësuesit e lartë politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës e njoftuan kryeministrin Mustafa për sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen. Duke folur për zhvillimet e ndryshme në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, përfaqësuesit shqiptarë kërkuan përkrahje të mëtejme të Kosovës në avancimin e proceseve si dhe tejkalimin e pengesave me të cilat ballafaqohen si pasojë e politikave jo të drejta nga niveli qendror në Beograd.

Gjatë takimit, u fol edhe për fusha konkrete të fuqizimit të bashkëpunimit dhe përkrahjes së Kosovës për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. U bisedua po ashtu për mundësitë e përkrahjes së Kosovës në fushën ekonomike, të infrastrukturës, kulturës, arsimit, e shumë fusha të tjera.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme