Mustafa u shkruan ambasadorëve të Kuintit, OSBE-së dhe BE-së për zvarritjen e emërimit të anëtarëve të KQZ-së

Prishtinë | 21 Dhj 2018 | 11:40 | Nga Ekonomia Online

Kryetari LDK-së, Isa Mustafa sot ua ka përcjellë ambasadorëve të shteteve të Kuintit, OSBE-së dhe Zyrës së BE-së në Prishtinë një letër në të cilën ka sqaruar qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës rreth tendencave të Presidentit Thaçi për zvarritjen e emërimit të anëtarëve të KQZ-së, që nga 27 mars 2018, duke e defunksionalizuar tërësisht këtë institucion kushtetues.

Njëkohësisht, letra sqaron dhe reagon ndaj tendencës së Presidentit Thaçi, pa baza ligjore e kushtetuese t’i garantojë koalicionit qeverisës, pjesë e të cilit fatkeqësisht Presidenti ende ndihet, shumicë në KQZ duke dëmtuar dhe shkelur të drejtat kushtetuese të LDK-së të cilës i takojnë dy anëtarë në KQZ, e jo vetëm një siç pretendon presidenti Thaçi.

Në fund kryetari Mustafa njoftoi se LDK-ja është tejet e vendosur të mbrojë të drejtën e saj për përfaqësim adekuat në KQZ në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe në rast të mos materializimit të kësaj të drejte do ta referojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Të bashkangjitur gjeni letrën e skanuar dërguar për Ambasadorin e SHBA-ve Philip Kosnett, e cila u është përcjellë të gjithë të lartpërmendurve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme