Mustafa: Vrasësit e Ahmet Krasniqit duhet të marrin dënimin e merituar

Prishtinë | 21 Sht 2020 | 10:48 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa  ka përkujtuar  Kolonelin Ahmet Krasniqi, në 22 vjetorin e vrasjes së tij.

Mustafa ka thënë se Krasniqi ishte intelektual dhe atdhetar i pa shoq.

Ai ka thënë vrasja e tij mbetet plagë e hapur dhe se autorët e krimit duhet të dalin para drejtësisë.

Telegrami i plotë i Mustafës:

 “Sot shënohet 22 vjetori i vrasjes së ish-Ministrit të Mbrojtës, Kolonel Ahmet Krasniqit. 

Ahmet Krasniqi, Ministri i Parë i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, ishte një personalitet i veçantë, ai radhitet në plejadën e patriotëve që nuk kursyen as jetën për lirinë e vendit.  

Sot e kujtojmë intelektualin e pashoq, atdhetarin e shquar dhe Heroin Ahmet Krasniqi.

Kolonel Krasniqi posedonte dijen, urtësinë politike dhe përgatitjen e nevojshme ushtarake, trinom i cili e formësonte karakterin e tij kompleks. Ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në luftën çlirimtare dhe fillet e krijimit të formacioneve të para shtetërore. 

Aktiviteti i tij kombëtar siç duket iu pengoj qarqeve anti-shqiptare, duke e ekzekutuar në mënyrë misterioze në datën e 21 shtatorit të vitit 1998, nga njerëz që ishin kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Për Lidhjen Demokratike e Kosovës, familjarët, miqtë dhe të gjithë që e njohën tash e sa vite por edhe për shtetin e Kosovës mbetet plagë e hapur vrasja e tij tinëzare. 

Prandaj, autorët e krimit duhet të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. Organet e drejtësisë duhet të punojnë shumë deri në zbardhjen e rastit.

Lavdi jetës dhe veprës së Kolonel, Ahmet Krasniqit!”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme