Muzeu i Kosovës s’ka vend për Institutin Arkeologjik

Prishtinë | 21 Dhj 2017 | 10:31 | Nga

Muzeu i Kosovës konsideron se në objektin e tyre nuk ka më vend edhe për Institutin Arkeologjik të Kosovës. Zhvendosjen e IAK-ut e konsideron edhe prioritet për vitin që vjen. Krejt këtë e lidh me hapjen e ekspozitës së përhershme, e paralajmëruar për 17 shkurt, në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Me këtë çështje po merret edhe Ministria e Kulturës përderisa rreth kësaj MK-ja dhe IAK-u kanë qasje të ndryshme. Në adresë të Ministrisë së Administratës Publike, MKRS-ja tashmë ka dërguar kërkesë dhe pret që vitin që vjen të bëhet një zgjidhje. IAK-ja tash e 15 vjet vepron në katër zyra në katin e katërt të objektit të Muzeut, shkruan sot Koha Ditore.

Udhëheqësit e Institutit Arkeologjik të Kosovës paralajmërojnë se nuk do të pranojnë të zhvendosen me qira në ndonjë objekt privat, derisa ata të Muzeut të Kosovës insistojnë që me hapjen e ekspozitës së përhershme në këtë institucion do të duhej riorganizim i hapësirave. E shanset për ndërtimin e një objekti të ri për IAK-un aktualisht janë të pakta.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS, ka thëne se të dy institucionet kanë kërkuar që të bëhet një zgjidhje për këtë.

“Kërkesa është rezultat i funksionimit më të mirë të të dyja institucioneve, rrjedhimisht zbatimit të veprimtarisë, me theks të veçantë asaj profesionale. Aq më tepër kur tani vendoset ekspozita në Muze dhe kërkohet riorganizim i hapësirave”, ka thënë Aliu.

Sipas saj, ndërtimi i një objekti të ri për Institutin Arkeologjik të Kosovës do të merrte shumë kohë.

Të ngjashme