Myftiu Tërnava priti në takim komandantin e ri të KFOR-it

Prishtinë | 14 Dhj 2020 | 13:41 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti sot në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajorin Franco Federici. Në këtë takim njohës, Myftiu Tërnava i uroi mirëseardhje në Kosovë gjeneralmajorit Federici, duke i dëshiruar punë të mbarë dhe të suksesshme në misionin e tij.

Ai më pas e njohu me punët dhe aktivitetet që zhvillon institucioni i Bashkësisë Islame të Kosovës për mirëqenien e të gjithë qytetarëve pa dallim.

Myftiu Tërnava edhe njëherë shprehu mirënjohjen e tij për misionin e KFORI-it, duke shprehur kështu vlerësimin dhe respektin e lartë që kanë qytetarët e Kosovës për ta.

Nga ana e tij, gjeneralmajori Federici falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen dhe nëpërmes tij vlerësoi lart punën dhe angazhimin që ka Bashkësia Islame e Kosovës për mirëqenien e të gjithë qytetarëve, duke vlerësuar kështu harmoninë ndërfetare, tolerancën dhe bashkëjetesën ndërmjet gjithë qytetarëve pa dallim.

Ai shprehu gatishmërinë e tij dhe të KFOR-it për krijimin e sigurisë për të gjithë qytetarët. Në fund të takimit, të dyja palët shkëmbyen mes vete stemat e institucioneve që ata drejtojnë.

Të ngjashme