MZhR fton bizneset e Ferizajt që të konkurrojnë për përfitimin e granteve deri në 25 mijë euro

Ferizaj | 22 Jan 2019 | 14:49 | Nga Ekonomia Online

Qytetarë dhe afaristë ferizajas gjatë ditës së sotme e  kanë pasur rastin që të marrin informacione të nevojshme rreth aplikimit në një skemë të granteve për hapjen apo rritje të bizneseve.

Zyrtarë nga Ministria e Zhvillimit Rajonal bashkë me ata nga Drejtoria komunale për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm,  kanë mbajtur sot një takim informues me qytetarët e Ferizajt të cilët janë të interesuar për të përfituar nga grantet qeveritare për hapje të bizneseve apo zgjerim të tyre.

Të gjithë qytetarëve të interesuar për përfitimin e këtyre granteve u ka bërë thirrje që ta shfrytëzojnë këtë mundësi edhe drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm në Komunën e Ferizajt,  Zekir Bytyqi.

Ai ka sqaruar se projekti ka tri loto dhe shumat që do të mund të përfitohen janë nga 2 mijë e deri në 25 mijë euro.  Ai ka potencuar se ky projekt nuk ka ndonjë lidhje me Fondin e Punësimit dhe se kanë të drejtë të gjithë ata që i plotësojnë kushtet që të aplikojnë edhe për grantet e Ministrisë.

Nga ana tjetër Agim Zeka nga Agjencia Rajonale për Zhvillim Lindje,  potencoi se për gjithë Kosovën është i përcaktuar një buxhet prej 2.4 milionë eurosh , prandaj është një mundësi e mirë që edhe afaristët e Ferizajt të aplikojnë për të përfituar mjete pune të cilat do të ndikojnë në punësime të reja dhe prodhime vendore.

Ndërkaq interesimet e qytetarëve lidhur më këtë projekt ishin nga më të ndryshmet duke u nisur mënyra e aplikimit deri tek sigurimi i ofertave për këto mjete.

Në takimin e mbajtur sot për aplikim në grantet e Ministrisë për Zhvillim Rajonal u bë e ditur se afati për aplikim do të zgjasë deri më 22 shkurt dhe aplikimi duhet të bëhet vetëm në platformën online. Ndryshe dokumentet e dorëzuara në forma të tjera nuk do të merren parasysh për shqyrtim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme