“Nagavci me qasjen e saj po hedhë benzinë në zjarr”, reagon Qëndron Kastrati pas ngjarjes në Shipashnicë

Prishtinë | 23 Maj 2021 | 14:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar pas ngjarjeve që ndodhen në Shipashnicë të Poshtme.

Kastrati përmes një postimi në rrjetin social ka treguar se sot kanë dërguar pajisje dhe inventar për çerdhen e Shipashnicës së Poshtme e cila do t’u shërbente fshatrave përreth.

Po ashtu, ai ka thënë se është për keqardhje deri në ç’masë është duke u manipuluar komuniteti nga disa badihaxhinj, e që nuk do ta besonte që në këtë shekull një prind më përpara e dëgjon një manipulues sesa zemrën e tij për fëmijën e vet.

Postimi i plotë i tij:                        

Në Kamenicë vetëm 3.99% e fëmijëve shkojnë në kopsht. 96% të tjerë apo rreth 1400 fëmijë qëndrojnë në shtëpi. Edhe pse edukimi parashkollor është kusht i domosdoshëm për zhvillimin e secilit fëmijë, në Kamenicë jo të gjithë e kanë këtë mundësi.

Ashtu siç e kemi stërthënë, objektet e shkollave të fuzionuara do të përdoren për qëllimet më të mira për komunitetin. Dhe kështu, ne sot dërguam pajisjet dhe inventarin për çerdhen e Shipashnicës së Poshtme e cila do t’u shërbente fshatrave përreth.

Është paraparë që të punësohen rreth 12 punëtorë dhe që dy vitet e para të jenë pa pagesë për fëmijët.

Është vërtetë për keqardhje deri në ç’masë është duke u manipuluar komuniteti nga disa të badihavaxhinj. Nuk do ta besoja kurrë që në shekullin XXI një prind më përpara e dëgjon një manipulues sesa zemrën e tij për fëmijën e vet. Për më shumë, Ministrja Nagavci me çasjen e saj po hedhë benzin në zjarr. Kjo është e turpshme dhe e pafalshme.

P.S. Sipas neuroshkencëtarëve, truri i fëmijës deri në moshën 2 vjeç ka periudhën më intensive të zhvillimit, pas kësaj moshe proceset fillojnë dhe reduktohen. Prandaj, është e rëndësishme që fëmija të rritet në një ambient të pasur me informacion dhe veprime nxitëse, me bashkëmoshatarë dhe edukatorë profesional.

Të ngjashme