Nagavci merr vaksinën AstraZeneca, fton mësimdhënësit që të vaksinohen

Prishtinë | 08 Kor 2021 | 12:07 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se dje pasdite ka marrë dozën e parë të vaksinës anit-Covid-19, si dhe ka ftuar të gjithë mësimdhënësit dhe punëtorët e institucioneve arsimore që të vaksinohen dhe të jenë gati për fillimin e vitit të ri shkollor me prezencë fizike.

Nagavci gjithashtu ka ftuar të gjithë qytetarët që të vaksinohen dhe mos të kenë hezitime, në mënyrë që të ruajnë shëndetin e tyre dhe të tjerëve.

Postimi i plotë:

Të hënën caktova terminin për vaksinim në https://ekosova.rks-gov.net/, pasi kjo u mundësua edhe për zyrtarët publik.

Dje pasdite u paraqita në kohën e caktuar, për të marrë dozën e parë të vaksinës. Organizimi ishte i shkëlqyer, rend dhe rregull, kujdes maksimal.

Pashë që disa qytetarë shprehnin shqetësim në lidhje me vaksinën AstraZeneca kundër Covid-19. Unë u vaksinova më dozën e parë të kësaj vaksine, aplikova online si gjithë tjerët, ndoqa procedurat dhe udhëzimet dhe mora vaksinën që ofrohej e që është e aprovuar nga OBSH.

Ftoj të gjithë mësimdhënësit dhe punëtorët e institucioneve arsimore që të vaksinohen dhe të jemi gati për fillimin e vitit të ri shkollor me prezencë fizike, ashtu si dhe gjithë qytetarët të mos kenë hezitime, në mënyrë që të ruajnë shëndetin e tyre dhe të tjerëve.

Falënderoj për punën e mirë, punëtorët shëndetësorë, Ministrinë e Shëndetësisë e vullnetarët në qendrat e vaksinimit.


Të ngjashme