Natyra Kuçi: Policia përdori dhunë jashtëzakonisht të madhe

Prishtinë | 07 Sht 2021 | 11:25 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka reaguar pas arrestimit të aktivistëve të kësaj partie, pas aksionit gjatë fjalimit të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

Kuçi ka shkruar në Facebook se aksioni i sotëm i aktivistëve të PSD-së ishte për të penguar rilegjitimimin e Gjykatës Speciale në misionin e saj për të tjetërsuar luftën çlirimtare të UÇK-së.

“Sot, përgjatë raportimit të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, aktivistë të PSD-së, Lisjan Perolli dhe Bardh Ahmeti, zhvilluan aksion simbolik për të penguar rilegjitimimin e Gjykatës Speciale në misionin e saj për të tjetërsuar luftën çlirimtare të UÇK-së. Përgjatë aksionit simbolik jashtë konferencës për media, Policia e Kosovës përdori dhunë jashtëzakonisht të madhe ndaj aktivistëve duke i lënduar dhe i arrestuar ata”, ka shkruar Kuçi.

Kuçi ka shkruar se PSD kërkon lirimin e kryetarit të partisë, Dardan Molliqaj, si dhe anëtarëve tjerë Teutë Rrusta, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti dhe Agron Kabashi, të cilët u arrestuan sot nga policia.

“Gjykata Speciale është e padrejtë, prandaj ajo nuk mund të sjellë drejtësi. Si e tillë, nuk mund të lejojmë assesi që të rilegjimitohet në qetësi teksa tjetërson historinë tonë. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti dhe Agron Kabashi të cilët u arrestuan gjatë aktivitetit sot”, ka shkruar Kuçi.

Ndryshe, aktivistë të PSD-së kanë dalur në një protestë të paparalajmëruar në kohën kur po pritej konferenca e kryetares së Gjykatës Speciale, Trendafilova.

Policia e Kosovës i ka arrestuar kreun e PSD-së, Dardan Molliqajn dhe disa aktivistë tjerë të partisë.

Ngjarja ka ndodhur para Hotel Sirius në Prishtinë, aty ku veçse po fillonte konferenca e paralajmëruar në orën 10:00.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme