Ndarja dhe klasifikimi i mbeturinave mbetet çështje e pazgjidhur

Prishtinë | 29 Qer 2017 | 12:01 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të javës së Diplomacisë Klimatike 2017 në Kosovë, Konsorciumi Kosovar për Shoqëri Civile ka mbajtur tryezën e dytë të radhës me temën “Avancimi i zbatimit të menaxhimit të mbeturinave në Kosovë me Ekonominë Cirkulare(qarkore).

Në këtë takim u konkludua se në Kosovë sfidë mbetet ende ndarja dhe klasifikimi i mbeturinave, raporton Ekonomia Online.

Rinora Gojani nga KOSID, ka thënë se kjo tryezë organizohet me qëllim të ngritjes së vetëdijes rreth menaxhimit të mbeturinave, pasi që mjedisi ku jetojmë, cdo ditë e më shumë po degradohet.

Afrim Berisha nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, ka thënë se baza ligjore kryesore për menaxhimin e mbeturinave janë dy ligje, siç është ai i mbeturinave dhe i mjedisit.

Ai po ashtu ka thënë se në kuadër të ministrisë së Mjedisit është edhe strategjia për menaxhimin e mbeturinave.

“Ne si agjencion fokusin kryesor e kemi mbledhjen e informatave dhe monitorimin në terren ku përgatisim raporte periodike dhe vjetore mbi gjendjen në mjedis. Është e rëndësishme të dimë se çfarë strukture të mbeturinave kemi dhe vërejmë se struktura e mbeturinave tona 32 për qind mbeturina të riciklueshme dhe rreth 40 për qind janë mbeturina biodegraduese dhe pjesa tjetër janë të tjera.

Ai shtoi se rreth 5 për qind të mbeturinave në Kosovë riciklohen andaj theksoi si të nevojshme që të ketë një strategji të veçantë për ekonominë cirkulare ku pjesë e saj duhet të ishin të gjitha ato industri që gjenerojnë mbeturinave, në mënyrë që ato të kenë mundësi të riciklohen.

Gazmend Selimi, nga zyra e BE-së në Kosovë, ka thënë se ky institucion mbetet donatori kryesor që ka mbështetur Kosovën në fushën e mjedisit.

Megjithatë, ai tha se përkundër investimit gjendja mjedisore në Kosovë lë për të dëshiruar.

“Ajo çka mua më brengos është varshmëria kronike e institucioneve nga donatorët. Modeli i cili duhet ta ndjekim është modeli i BE-së. E ardhmja duhet të jetë në zhvillim të qëndrueshëm. Në programin IPA në pjesën e parë nuk ka qenë i pranishëm mjedisi por në vitet ti vjetët e ardhshme do të alokohen mjete për menaxhimin e mbeturinave”, ka thënë ai.

Driton Batovci nga GIZ-i ka thënë se në vitet e fundit prej se ka filluar gara për një mjedis të pastër komunat janë në garë për shpërblimin dhe se kjo ka ndikuar pak a shumë në përmirësimin e gjendjes së mjedisit.

Po ashtu u tha se me ndihmën e donatorëve Kosova duhet të zgjedh një model ekonomik i cili është i qëndrueshëm të zhvillojë rregullativën ligjore e cila do t’i mbështet këto politika.

Të ngjashme