Ndërmarrja Banesore ua fali bizneseve mbi 200 mijë € të qeras, investimet me dinamikë të reduktuar

Prishtinë | 26 Sht 2020 | 07:50 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mbi 200 mijë euro Ndërmarrja Publike Banesore ua ka falur bizneseve për dy muaj në emër të qeras, pas vendimit të Qeverisë për të rimbursim prej 50% të vlerës.

Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore, Hajdar Hoxha në një intervistë për Ekonomia Online, tha se kjo ka ndikuar direkt në buxhetin e ndërmarrjes.

Hoxha tha se qeveria ka rimbursuar 20% të mjeteve, ndërsa 80% e faturës ka rënë mbi ndërmarrjen. Sipas Hoxhës, qëllimi i tyre ishte që sado pak përmes qirasë t’i ndihmojnë bizneset.

“Lidhur me faljen e qirasë që ishte për 2 muaj. Pra nëse e zbërthejmë në vlerë financiare është mbi 230 mijë euro vlera e faturave për dy muaj që është falë ndaj qiramarrësve. Mirëpo një prej pikave të Qeverisë ishte që rimbursimi deri në 50% e qirasë. Ne kemi asistuar te qiramarrësit tonë, sepse qiramarrësit është dashur të aplikojnë në Qeveri”.

“Ne kemi asistuar me resurset tona dhe vlen të theksohet që qeveria ka bërë një rimbursim në raport me vlerën e qirasë mirëpo rimbursimi është rreth 20% i total faturës tonë. Pra i themi që në neto i bie 80% e faturës bie komplet ndërmarrja e dy muajve që kemi falë për qiranë. Kjo ishte për qëllim t’i ndihmojmë bizneseve për dy muaj sepse pandemia ishte përhapur gjithandej në biznes. Sado pak ne përmes qirasë t’i ndihmojmë bizneset që të mund të rikuperojnë vetveten në të ardhmen”.

Ai tha se do të vazhdojnë me projektet e planifikuar  për këtë vit, mirëpo me një dinamikë më të reduktuar.

“Vazhdimisht jemi përkujdesur ndër vite që të kemi një stabilitet dhe një likuditet financiar që të ruajmë keshin. Ne vazhdojmë me projektet tona. Sigurisht që dinamika mund të jetë më e reduktuar. Afati kur bëjmë investime në hyrje mund të jetë pak më i gjatë, mirëpo në aspektin e objektivave numrin e investimeve që kemi nuk ka ndryshuar”.

Hoxha theksoi se deri më tani kanë nën menaxhim mbi 200 objekte dhe 3 000 klientë.

“Deri më tani janë mbi 200 hyrje, që nënkupton mbi 3 000 klientë se çdo hyrje ka numër të caktuar të klientëve ku kanë kontratë për mirëmbajtjen e hyrjes së përbashkët. Besoj që tashmë dihet për të gjithë qytetarët e Prishtinës. Ky projekt ka filluar nga viti 2017 kur në shkëmbim investim dhe hyrje të përbashkët dhe më pas shërbimet e mirëmbajtjes që i ofrojmë dhe qytetarët për shërbimet e mirëmbajtjes paguhen me një kosto fikse. Prej tani kemi mbi 200 hyrje dhe mbi 3000 klientë”.

Ndërmarrja ka bërë dezinfektimin e hryjeve të banesave dhe objekteve të tjera për shkak të mos bartjes së virusit te qytetarët.

Tutje, ai tha se e kanë menduar një opsion tjetër për mirëmbajtjen e objekteve banesore, duke e bërë pastrimin në baza javore.

“Një prej vendimeve të shtabit emergjent ka qenë edhe dezinfektimi i hyrjeve dhe vendosja e dezinfektuesve tek hyrjet për shkak që banorët kishin kontakt me derën, ashensorin për bartjen e virusit. Ne në këtë rast fillimisht kemi bërë një dezinfektim të objekteve tona ku më pas kemi versuar që dezinfektimin e hyrjeve do ta bëjnë kompanitë e licencuara për këtë çështje. Diku rreth 6 mujore ka qenë vlera e kontratës për t’i realizuar të gjitha hyrjet”.

“Përveç hyrjeve tona që ishin të dezinfektuara që i kemi nën menaxhim ne kemi vazhduar pastaj në koordinim me komunën edhe dezinfektimin e hyrjeve të tjera, ku në total janë mbi 1 000 hyrje, mirëpo kjo pjesa tjetër është financuar nga Komuna. Një dezinfektim të radhës nuk është që kemi bërë deri më tani. E kemi menduar si opsion. Sipas ekspertëve të shëndetësisë virusi në hyrjet e objekteve nuk është që mbijeton shumë gjatë, por duhet të theksojmë mirëmbajtjen e tyre, pastrimin e tyre në baza javore dy herë në javë dhe një herë në muaj”.

Të ngjashme