NDI: Qytetarët të kenë 100% qasje në dokumentet publike

Prishtinë | 13 Pri 2017 | 14:01 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupet joformale të cilat përfaqësojnë katër komuna: Prizrenin, Leposaviçin, Gjilanin dhe Zveçanin  kanë organizuar tryezën me temë “Qasja në dokumente publike”, në kuadër të projektit të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) “Avokimi Ndëretnik  për të rritur qasjen në dokumente publike në komuna”.

Tryeza kishte për qëllim transparencën e komunave, respektivisht zbatimin e ligjit për qasjen në dokumente publike, raporton Ekonomia Online.

Alexander Chavarria, drejtor i NDI-së në Kosovë ka thënë se përmirësimi i qasjes në dokumentet publike është shumë e rëndësishme, sepse qytetarët e kanë këtë të drejtë.

“Ne presim që prej rekomandimeve të cilat do të dalin nga grupet joformale të mbështesim këtë përpjekje që qytetarët e Kosovës e kanë. Të rinjtë e Kosovës duhet të integrohen në proceset politike dhe përpjekjet e NDI-së kurorëzohen vetëm atëherë kur kjo qasje është 100%”, ka thënë ai.

Ndërsa, Xhavahire Izmaku, kryetare e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, ka thënë se për komisionin që udhëheq ajo është e rëndësishme me i marrë rekomandimet që i sjell NDI-ja. Ajo ka thënë se Kuvendi po bënë ligje shumë të mira, por implementimi i tyre është problem. Ajo ka thënë se Kuvendi i Kosovës nuk po arrin të shikojë ngecjet të cilat janë në nivel lokal.

“Jo vetëm zyrtarët e komunave kanë probleme me qasjen në dokumentet publike, dhe deputetët nuk kanë informacion për Ligjin për Qasjen në Dokumente Publike. Qytetarët kanë drejtë të kërkojnë qasje në dokumente pasi Ligji për Qasje në Dokumente Publike sjell transparencë”, tha Izmaku.

Ferdi Redzepi përfaqësues i grupit joformal të Prizrenit ka thënë se ata kanë punuar në rekomandimet e komunës së Prizrenit për avokimin e qasjes në dokumente publike.

Ai ka treguar se kanë bërë monitorim të rregullt të faqes zyrtare për të parë se sa arrinë stafi i komunës të Prizrenit të jenë transparent. Gjithashtu ka thënë se janë takuar edhe me drejtorët komunalë, si dhe kanë bërë një anketë, e cila tregon se sa është transparente komuna e tyre.

“Nuk kemi marre përgjigje për kërkesat e bëra për qasjen në dokumentet publike. Arsyet e këtyre mungesave sipas zëdhënësve të komunës së Prizrenit është mungesa e stafit”, tha ai.

Të ngjashme