Ndryshimet pozitive sociale bëjnë bashkë universitetet dhe kolegjet private

Prishtinë | 24 Tet 2018 | 10:57 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Zyra e UNICEF-it në Kosovë kanë organizuar konferencën me titull “Ndërtimi i partneritetit për ndryshime pozitive sociale në Kosovë”.

Universitetet dhe kolegjet private janë bërë bashkë në këtë konferencë, për t’i hulumtuar mënyrat e lidhjes së studentëve me veprimet në komunitet, që shënon hapin e parë të bashkëpunimin ndërmjet UP-së dhe UNICEF-it në objektivin e tyre për ndërtimin e partneritetit për ndryshime pozitive sociale në Kosovë.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema tha se Kosova ka nevojë për ndryshime pozitive, raporton EkonomiaOnline.

“Jam i lumtur që Universiteti ynë bashkë me UNICEF-in jemi inicues të një partneriteti të tillë edhe më të lumtur më bën fakti që ju i jeni përgjigjur pozitivisht ftesës sonë me praninë e juaj këtu”, tha Dema.

“Vendi ynë ka nevojë për ndryshime pozitive dhe me anë të kësaj konference ne synojmë të hapim rrugët që përfaqësuesit e arsimit të lartë të miratojnë qasje për të lidhur akademinë, shkencën me shërbime profesionale me komunitetin”.

“Ndryshimet nuk ndodhin vetvetiu, por për të ndodhur ashtu sic cdo transformim tjetër pozitiv duhet punë dhe vullnet të mirë nga të gjithë”.

“Do të i bashkohem nismës së studentëve për pastrim të kampusit universitar sepse dua të jem pjesë e vullnetarizmit dhe më gëzon fakti qe studentët e Universitetit të Prishtinës iniciojn nisma të tilla vullnetare”.

Dema tha se shërbimi për komunitet në baza vullnetare është vlerë. Ai tha se duhet të kalojmë nga roli i marrësit në rolin e dhënësit.

“Si Universitet i Prishtinës në rrugën drejt transformimit të udhëhiqemi nga vlerat, integriteti, barazia, llogaridhënia, sinqeritet dhe përgjegjësia ndaj komunitetit”.

“Jemi duke punuar fuqishëm me transformimin e këtij institucioni sepse Universiteti i Prishtinës është Kosova dhe pa ndryshime në UP, nuk ka ndryshime në Kosovë, të ndodhin këto ndryshime për të gjithë vendin. Ne jemi në procesin e krijimit të vlerave dhe kur të përmendet UP menjëherë të na shkoj mendja tek vlerat që ky universitet udhëhiqet”, tha Dema.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin tha se do t’i ofrojnë të rinjve platformën për t’i përgatitur për të bërë ndryshime sociale, raporton EO.

“Ka mekanizma që ne mund të dimë mundësitë për të iu bashkëngjitur vullnetarisht për një perspektivë të mirë të përbashkët,” tha ai.

“Të rinjtë po i nënshtrohen transformimeve të digjitalizimit dhe lidhen me platforma digjitale dhe duhet t’i harmonizojmë programet e të rinjve dhe të mobilizojmë vullnetaret, të cilët janë të angazhuar në transformime pozitive”, tha Sahin.

“Bashkë ne mund të i ofrojmë të rinjve platformën për të i përgatitur për të bërë ndryshime sociale dhe me i vë në dispozicion të tjerëve”.

“Do të japim mundësi studentëve dhe pres që nga aktivitetet të ngriten kapacitetet e Universiteteve përmes vullnetarizmit jemi të angazhuar me iu ndihmu studentëve dhe ata për me ndiku në ndryshimet sociale të vendit”, shtoi Sahin.

James Mugaju, zëvendësshefi i UNICEF-it kërkoi krijimin e një hapësire për dialog për ndryshimet pozitive në shoqëri, raporton EO.

“Qëllimi i takimit nuk është të bëjmë prezantime, por të krijojmë hapësirë për një dialog dhe të bisedojmë për ndryshimet pozitive në shoqëri”, tha Mugaju.

“Ne vetëm duhet të flasim dhe pajtohemi se si mund të punojmë bashkërisht për transformimin shoqëror”.

“Prosperiteti i Kosovës varet nga veprimet tuaja dhe sjelljet tuaja, veprimet e politikave dhe zgjedhjeve të politikave do të kufizojnë prosperitetin e Kosovës se sa do te jetë e përparuar Kosova sot dhe nesër”.

Mugaju tha se universitetet kanë rol të rëndësishëm në zhvillimin shoqëror.

“Në Kosovë ekziston një nevojë për një mendësi të re që sfidon status quo-n ose mënyrën ekzistuese të të qenurit dhe të vepruarit në nivel shoqëror”, shtoi Mugaju.

Të ngjashme