Në 330-vjetorin e vdekjes përkujtohet Pjetër Bogdani, vlerësohet kontributi i tij për krishterimin

Prishtinë | 06 Dhj 2019 | 17:39 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dioqeza Prizren-Prishtinë ka përkujtuar ipeshkvin Imzot Pjetër Bogdanin, në 330-vjetorin e vdekjes, raporton Ekonomia Online.

Manifestimi përkujtimor pati në program një konferencë shkencore, kremtimin e Meshës solemne dhe, siç thuhet në programin e shpallur, një Akademi solemne të Rivarrimit simbolik të Imzot Bogdanit në Kripën e Katedrales “Shën Nënë Tereza”.

Vepra e Bogdanit u vlerësua me epitet të lartë për fenë krishtere dhe për kombin shqiptar në përgjithësi.

Imzot Rrok Gjonlleshaj nga Tivari tha se ndihet krenar që ka punuar në Prishtinë, në vendin ku për 10 vjet ka shërbyer Pjetër Bogdani.

“Vërtet është një ngjarje historike sepse deri më tani kemi folur më pak për Bogdanin dhe falë bashkëpunimin me të tjerët ka filluar angazhimi për të folur për veprat e tij. Jo që nuk kemi ditur por është lënë në harresë vepra e Pjetër Bogdanit. Për mua ka qenë frymëzim të jem këtu kur im zot Pjetër Bogdani ka shërbyer për vite”, tha Gjonlleshaj.

E profesori i Letërsisë, Kujtim Shala foli për librat e Pjetër Bogdanit. Për veprat e këtij të fundit, Shala tha se shkruheshin e botoheshin për t’u dhënë besimtarëve në vendet e pushtuara e të rrezikuara nga islamizimi

“Duket se lexuesi elementar i tij të jetë edhe më i sakti. Bogdani shkroi një libër religjioz, njëherë në arbnisht e më pas në italisht, në pjesë të caktuara edhe në disa gjuhë të tjera. Vepra si kjo e Bogdanit shkruheshin dhe botoheshin për t’ua dhënë besimtarëve në vendet e pushtuara e të rrezikuara nga islamizimi dhe religjionet e tjera”, tha Shala.

Pjetër Bogdani vdiq më 6 dhjetor të vitit 1689 në Prishtinë, nga epidemia e murtajës.

Të ngjashme