Në akademinë për Epopenë e UÇK-së, krerët e shtetit vlerësuan lart sakrificën e familjes Jashari

Prishtinë | 06 Mar 2020 | 18:07 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në ditën e dytë së Epopesë së UÇK-së, u mbajt akademi përkujtimore kushtuar komandantit legjendar, Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri. Aty u tha se fal sakrificës së familjes Jashari, Kosova frymon lirshëm, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast, kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, tha se Adem Jashari është shndërruar në ikonë të lirisë për secilin shqiptarë.

“Si në çdo përvjetor, sot jemi këtu në 22 vjetorin e rënies së komandantit Adem Jashari, i cili më përpjekjen e tij për liri u shndërrua në referencë universale të lirisë. Kryengritësi para të cilit përkulemi sot, betejën për liri e nisi pikërisht nga shtëpia e tij, e cila u bë fortifikatë e rezistencës ndaj shume sulmeve të forcave serbe përgjatë disa dekadave. Sulmet e vazhdueshme ndaj familjes Jashari, dëshmonin çdo ditë e më shumë synimet gjenocidale të shtetit serb. Adem Jashari e mbrojti pragun e shtëpisë, por shtëpia e tij reale ishte Kosova e familja e tij ishte i gjithë populli liridashës i Kosovës. Kosova për të cilën ai dhe familja e tij sakrifikuan që sot ta kemi si shtet sovran e të suksesshëm, e të cilën çdo ditë e më shumë po përpiqemi ta konsolidojmë, ta bëjmë të tillë çfarë deshi ai, familja, bashkëluftëtarët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Osmani.

Osmani u shpreh se pas sulmit të parë mbi familjen Jashari, ish-presidenti Rugova, apelonte qytetarët që t’i mbrojnë shtëpitë e tyre. Ajo përmendi edhe raportimin e ish-gazetarit të ndjerë, Enver Maloku, i cili raportonte për sulmin mbi familjen Jashari.

“Kur në dhjetorin e vitit 1997, shtëpia e Shaban Jasharit në Prekaz u sulmua nga forcat serbe, presidenti historik, Ibrahim Rugova, u apelonte qytetarëve që ta mbronin pragun e shtëpisë. Pothuajse një vit më pas, e njëjta shtëpi, sërish u përballë më një sulm tjetër dhe për të cilin në orët e hershme të mëngjesit kishte raportuar Qendra Për Informim e Kosovës (QIK) dhe ky lajm bëri jehonë në mediat e të gjithë botës demokratike duke dëshmuar kështu për vuajtjet dhe për sakrificën e popullit tonë të shtypur për dekada me radhë. Siç raportonte në atë kohë, gazetari e më pas heroi Enver Maloku: ‘Të llahtarshme dukeshin pamjet e trupave të fëmijëve të vrarë. Zenë Jasharit, një 48 vjeçari i janë vrarë: Blerimi (5), Bujari (12), Avdullahu (15) dhe gruaja Bahtije (43) e cila ishte shtatzënë’”, tha ajo para të pranishmëve.

Për kontributin e familjes Jashari, foli edhe kryeministri Albin Kurti. Sipas tij mënyra sesi i kujtojmë të rënët, tregon për të ardhmen që do ta ndërtojmë.

“Sot është dita e dytë e Epopesë së UÇK-së. E filluam me një orë mësimore në tërë vendin në mënyrë që fëmijët të mësojnë për këtë ditë. Mënyra sesi i kujtojmë të rënët e tregon për të ardhmen që do të ndërtojmë. Liria jonë i ka rrënjet te dëshmorët e kombit, te ata që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë tonë. Në duhet ta mirëmbajmë trungun që del prej këtyre rrënjëve që është shteti, degët që dalin prej trungut që janë institucionet e shtetit, gjethet që bëjnë kurorën e pemës që janë partitë politike dhe organizatat në vend, kurse frutat janë mirëqenia që duhet të ndahet tek qytetarët e vendit tonë. Sot kujtojmë Jasharajt dhe gjithë ata që dhanë jetën për këtë Kosovë. I kujtojmë ata duke i mësuar fëmijëve emrat e heronjve. I kujtojmë duke i veshur më të bronztë, duke emërtuar sheshe, rrugë e shkolla në emër të tyre”, tha Kurti.

Në emër të familjes Jashari, foli Rifat Jashari. Ai falënderoi gjithë të pranishmit në këtë akademi.

“Në emër të familjes Jashari, ju përshëndes të gjithëve për pjesëmarrjen në këtë akademi. Lavdia dhe nderi qofshin mbi të gjithë ata burra e gra që brez pas brezi derdhën gjakun që ne sot të gëzojmë lirinë”, ka deklaruar ai,

Të ngjashme