Në Deçan mbahet mbledhje komemorative për profesor Bajram Tolajn

Prishtinë | 04 Gus 2021 | 16:38 | Nga Ekonomia Online

Pas një sëmundje të shkurtër dje më 03. 08. 2021 u nda nga jeta Prof. Bajram Tolaj, nga fshati Prilep. Në përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Bashkim Ramosaj, në sallën e Asamblesë Komunale sot është mbajtur mbledhje komemorative.

Profesor Bajram Tolaj ishte njeri me vlera të larta, i urtë e i dashur për të gjithë, modest dhe edukator i shkëlqyer, u tha me këtë rast.

Prof. Bajram Tolaj do të mbetet në kujtesën e secilit si njeri modest e i veçantë. Ai edukoi breza të tërë nëpër dekada.

“Vlerat e Profesor Bajramit do të na përcjellin gjenerata të tëra. Ishte njeri me vlera të larta, profesor që secilin diti ta afrojë afër vetes. Do të mbetet përherë në mendjen tonë”, tha në fjalën e tij, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Për jetën dhe veprën e Tolajt folën dhe profesor Shkodran Imeraj nga Lidhja e Historianëve “Ali Hadri’’ në Deçan; drejtori i Arsimit, Bekim Vishaj, kolegë dhe bashkëpunëtorë.

Telegram ngushëllim me rastin e ndarjes nga jeta të Prof.Bajram Tolaj kanë dërguar lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj; drejtori i Gjimnazit “Vëllezërit Frashri’’ në Deçan, Hamid Qorraj etj.

Ndërsa të pranishmit e këtij komemoracioni në emër të familjes i ka falënderuar djali i tij, Armend Tolaj.

Nga sot trupi i Bajram Tolajt do të pushojë përjetësisht në varrezat e vendlindjes së tij në fshatin Prilep.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme