Në ditën Botërore të Ujit apelohet për ruajtjen e këtij resursi

Prishtinë | 22 Mar 2017 | 11:54 | Nga Jehona Zhuniqi

Me rastin e Ditës Botërore të Ujit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka organizuar një aktivitet me moton “Uji dhe Ujërat e Zeza”.

Aty u theksua se ruajtja e resurseve ujore është një domosdoshmëri dhe parakushti themelor për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, raporton Ekonomia Online.

Ministri Ferat Shala ka thënë se janë mbledhur për të festuar ditën botërore të ujërave.

“Këtë vit moto është uji dhe ujërat e zeza pasi kjo moto i përshtatet edhe Kosovës. Këtyre ditëve përuruan fabrikën në Shkabaj projekt milionësh. Dhjetëra projekte janë kryer vitin e kaluar në sektorin e ujërave edhe dhjetëra të tjera janë në planifikim për këtë vit. Janë hartuar dhe miratuar disa udhëzime që rregullojnë sektorin e ujërave. Jemi afër finalizimit të strategjisë shtetërore të ujërave dhe presim që këtë vit kjo të miratohet. Të gjitha këto rezultate shumicën i kemi arritur me donatorë”, ka thënë ai.

“Uji është forca shtytëse e natyrës”, ka thënë ai.

Kurse kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të punuar në këtë sferë si një prej sferave më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik, social, shëndetësor dhe të mirëqenies së qytetarëve.

“Uji është parakushti themelor për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, është faktori kyç i mirëqenies dhe i uljes së varfërisë, i përmirësimit të gjendjes socio-ekonomike, gjendjes shëndetësore të popullatës. Prandaj, për ne është me prioritet që të investojmë në fushën e ujit, të kujdesemi për shfrytëzimin racional të ujit, për mbrojtjen e lumenjve dhe burimeve të ujit, për menaxhimin sa më të mirë të sistemit të ujërave, si të ujit të pijes, të ujit industrial dhe të ujit për ujitje”, tha kryeministri.

“Qeveria Gjermane, Qeveria zvicerane, pastaj investimet që ka bërë Kosova përmes MMPH-së, kanë mundësuar që ne të trajtojmë deri më tani ujërat e zeza në Prizren, Pejë dhe Gjakovë. Kemi siguruar 66 milionë euro me marrëveshjen që e kemi bërë me Francën, për të trajtuar ujërat e zeza në Prishtinë dhe në regjionin e Prishtinës. Janë përfunduar studimet e fizibilitetit edhe për qendrat tjera, Gjilanin, Ferizajn, Mitrovicën dhe duhet të punojmë sa më shpejt që edhe në këto qendra të zgjidhim këtë problem”, tha kryeministri.

Patrick Etiene nga Zyra zvicerane tha se është me rëndësi sigurimi i ujit.

“Globalisht shumica e ujërave të zeza kthehen në natyrë pa u trajtuar. Në rastin e Kosovës e dimë që tërë ujërat e zeza kalojnë nëpër lumenj. Qeveria e Kosovës duhet të punojë  në këtë drejtim. Sot mund të themi se Qeveria e Zvicrës ka kontribuuar shumë. Që nga viti 1999 Zvicra ka investuar mbi 70 milionë euro në sektorin e ujërave dhe mendojmë të investojmë edhe 30 milionë”, ka thënë ai.

Në fund zëvendësdrejtori i Departamentit të Ujërave, Gani Berisha ka ndarë disa mirënjohje për kontributin e dhënë në fushën e ujërave.

Manifestimi për Ditën Botërore të ujit do të vazhdojë edhe në sheshet e Prishtinës me aktivitete të ndryshme.

Të ngjashme