Në ditën e fëmijëve Kurti flet për problemet sociale që i prekin ata

Prishtinë | 01 Qer 2019 | 18:23 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, 1 Qershorin e fëmijëve në Kosovë e quan “qershor të Migjenit” teksa tregon një rrëfim që flet për gjendjen e rëndë sociale të vendit dhe të fëmijëve në veçanti.

Ai madje për gjendjen e fëmijëve në Kosovë fajëson edhe kundërshtarët e tij politikë.

Më poshtë shkrimi i plotë:

1 qershori i fëmijëve (të Migjenit): “A po na blen bukë?”

Gjithçka dukej normale.

Fëmijë të shumtë vraponin plot gaz e hare. Këndi i lojërave në parkun e kryeqytetit vlonte. Edhe të rriturit e paktë ishin bërë shend e verë. Ndoshta ngapak u mirreshin mendtë.

Dëgjoja emrin e vajzës sime që e thërrisnin të tjerë fëmijë. Dhe zërin e saj që thërriste fëmijë të tjerë. Gjithçka dukej më mirë se normale.

Nuk isha kush isha. Isha prindi i vajzës sime. Ashtu më shikonin. Ashtu ndjehesha…

Si për një shtyllë ajo tash mbahej për këmbën time. Edhe të tjerë fëmijë që dihasnin u ndalën rrotull nesh. Shumë sy të mëdhenj nën balluke të djersitura e mbi këpucë me ngjyra. Ata ishin pesë, njëra u largua tutje.

“A po na blen bukë?” Nuk isha i sigurt çka dëgjova. Ndoshta pse s’e besova menjëherë. Fytyrën time e pashë te pyetja që m’u përsërit: “A po na blen bukë?”.

Një bukë, kos, tri domate, gjashtë karrota, dhjetë salçice. Gjithsej: 3 euro e 40 centë.

Nuk ka dhunë më të rëndë sesa varfëria te fëmijët. Papunësia është individuale, varfëria është familjare. Fëmijët e familjeve të varfëra e bartin PANhajninë mbi supet e tyre të njoma.

Nga Bashkimi Evropian, privimi material, apo skamja, definohet si një situatë ku njeriu nuk mund të përballojë të paktën katër prej këtyre në vijim: të paguajë qira, fatura apo këste të kredisë, ta mbajë shtëpinë ngrohtë, të mbulojë shpenzime të papritura, të hajë mish apo peshk çdo dy ditë, një pushim njëjavor jashtë, ta ketë një veturë, makinë larëse, TV me ngjyra apo telefon.

Aq shumë fëmijë e ndajnë varfërinë e familjeve të tyre, të privuar nga rritja, që mbijetojnë në skamje.

Shumë sy të mëdhenj nën balluke të djersitura e mbi këpucë që nuk u shihet ngjyra nga pluhuri do ta hanë botën.

Asgjë nuk është normale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme