Në Ditën e të Zhdukurve, familjarët shprehen të zhgënjyer

Prishtinë | 29 Gus 2016 | 14:42 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një tryezë në të cilën është diskutuar për personat e zhdukur gjatë luftës së Kosovës. Me këtë rast, familjarët shprehën zhgënjimin më vonesën tash 17 vjet të zbardhjes së fatit të të gjithë të pagjeturve.

Bajram Qerkini, nga Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve në Kosovë, tha se për 17 vjet me radhë kanë të njëjtat dhimbje e pritje. Sipas tij, përfaqësues vendës e ndërkombëtarë janë zotuar se do të angazhohen, por fati i të pagjeturve mbetet i njëjtë.

Ai ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse ndërkombëtare dhe institucionet e vendit që të bëjnë më shumë. “Ne familjarët po kërkojmë të mësojmë për fatin e më të dashurve tanë dhe të sillen para drejtësisë ata që kanë marrë pjesë në zhdukjen e tyre”.

Sipas tij, adresa për zbardhjen e fatit të të pagjeturve është Beogradi. “Ju bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet vendore i keni mekanizmat për të vënë drejtësinë në vend. Pse nuk e bëni këtë, ne nuk mund ta dimë. Këta familjarë që tash e 17 vjet jetojnë ne ankth presim nga ju që këtë çështje ta merrni seriozisht e jo te na përkrahni moralisht vetëm në data si kjo e sotit”.

Edhe Nebi Morina nga Samadrexha e Suharekës, i cili ka familjarë të pagjetur, u shpreh mjaft i zhgënjyer në punën e bërë për zbardhjen e fatit të kësaj kategorie. Ai tregoi se vajza e saj 26-vjeçare është e zhdukur që nga 26 marsi i vitit 1999.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, tha se mungon e drejta e shprehjes për t’u dëgjuar në Kombet e Bashkuara sepse Kosova ende nuk është pjesë e saj.

“Kosova gjithmonë është përpjekur të shfrytëzojë të gjitha mundësitë e veta, mekanizmat për çështjen e ndriçimit të personave të zhdukur. Në radhë të parë është bërë përpjekje t’i bëjmë me dije bashkësisë ndërkombëtare se Serbia duhet të ketë presion, gjegjësisht të bëhet trysni që niveli i bisedimeve për këtë çështje të ngritet në nivelin ku obligohet cila do palë për të dhënë përgjigje në pyetjet që kanë të bëjnë me personat e zhdukur”, ka thënë Gjetaj.

Thomas Gnocchi, nga zyra e BE-së në Kosovë, tha se është e drejtë humane që të gjithë të dinë për fatin e familjarëve të tyre.

Zyra e BE-së thërret që të shtohen angazhimet rreth kësaj çështje. “Duhet të punohet më shumë për informata për të zbuluar fatin e personave të zhdukur. Duhet të punohet qe te gjinden personat e zhdukur dhe sqarimin e kësaj situate. BE po mundohet të ofrojë fonde dhe mbështetje për zbardhjen e fatit të pagjeturve por puna duhet të bëhet në Prishtinë dhe Beograd. Ne do ti monitorojmë qeveritë në Prishtinë dhe Beograd që të punojnë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, tha Gnocchi.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Lirie Kajtazi, ka treguar se Kuvendi ka nxjerr rekomandime dhe ka themeluar mekanizmat për kujdesin e familjeve të personave të pagjetur.

“Unë besoj se së bashku do të dalim edhe me një obligim që duke e bërë monitorimin e këtyre mekanizmave të shohim nevojat dhe mundësitë të cilët këta i kanë”, u shpreh Kajtazi.

Ibrahim Makolli, i cili kryeson delegacionin e Kosovës për bisedime për çështjet e personave të zhdukur, tha se politikanët serbë në shumë raste e kanë keqpërdor angazhimin për të zbuluar fatin e personave të pagjetur.

“Siç ishte rasti i fundit i adresimit para Këshillit të Sigurimit të OKB-së në trajtimin e raportit për Kosovën, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, gënjeu pjesëmarrësit duke deklaruar se hulumtimi për varrezë të mundshme në kompleksin Universitar të Prishtinës u bë me kërkesë të Beogradit, e cila është edhe një gënjeshtër e radhës para Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

unnamed (1)

Të ngjashme