Në “Javën e Arkivit të Hapur”, studentët kërkojnë digjitalizimin e arkivit

Prishtinë | 21 Mar 2022 | 10:06 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës (AShAK) ka organizuar “Javën e Arkivit të Hapur”, me ç’rast qytetarët e interesuar, nga sot deri më 25 mars, kanë mundësinë të shohin për së afërmi punën dhe aktivitetet që bëhen në mjediset e kësaj agjencie, si sallën e leximit; rregullimin dhe përpunimin e lëndës arkivore; laboratorin e mikrofilmimit dhe digjitalizimit; depon e AShAK-së dhe bibliotekën, raporton Ekonomia Online.

Interesimi ishte i madh, ku të pranishmit patën mundësi të shohin mjediset, si, sallën e leximit, rregullimin dhe përpunimin e lëndës arkivore, laboratorin e Mikrofilmimit dhe Digjitalizimit, depon e AShAK-së dhe Bibliotekën.

Kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (AShAK), Bedri Zyberaj, tha se ky aktivitet përkon me datën e krijimit të AShAK-ut.

Ai tha se interesimi i studentëve sa vjen e shtohet, teksa njoftoi se arkiva do të jetë e hapur deri më 25 mars.

“Ky është një aktivitet tradicional që përkon me datën e krijimit të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. Siç e dini edhe ju Arkivi i Kosovës është themeluar me datën 20 mars të vitit 1951 nga një vendim i këshillit të atëhershëm popullor të Kosovës dhe që prej asaj kohe zhvillon aktivitetet ky institucion që është i një rëndësie të veçantë”, tha ai për EO.

Zymberaj tha se të interesuarit si studentë nxënës e studentë të universiteteve të ndryshme vijnë për të vizituar këto mjedise të arkivës.

“Interesimi i të rinjve sa vjen dhe po shtohet. Edhe këto ekspozita që ne i organizojmë janë në funksion të sensibilizimit të të gjitha shtresave, dhe si i tillë është në funksion për me ju dhënë informacion se këtu ruhen pasuri që janë jashtëzakonisht të çmueshme, ngase ruhen dokumentacione që janë të dhëna e gjyshërve e stërgjyshërve të tyre”, tha ai.

“Më të interesuar kemi qenë për shtresat e gjera që të ju ofrojmë mundësi nxënësve hulumtuesve të ri që të vijnë e të shohin procesin e punës. Të vijnë ta shohin sepse këtu ruhet pasuria më e vlefshme e kujtesës tonë kombëtare dhe shtetërore”, tha Zymberaj.

Albin Halimi, student i Historisë në Universitetin e Prishtinës, ka apeluar te institucionet shtetërore që të bëhet digjitalizimi i arkivave për të pasur qasje më të lehtë në arkiva.

“Për neve hapja e këtyre arkivave është shumë e rëndësishme, po flas si historian. Historiani pa dokumente rëndësia nuk është aq e madhe, dokumentet janë shumë të nevojshme me i pa, me i hedh në dritë sepse arkivi çka posedon është shumë e nevojshme edhe për studentët e departamenteve të tjera. Gjithashtu rëndësia e këtyre dokumenteve vlen edhe në kontekstin e trashëgimisë kulturore”.

“Apeli im kish me qenë digjitalizimi i arkivave që të kemi një qasje sa më të lehtë në arkiva. Këtë e ka bërë edhe shteti i Shqipërisë, i cili na mundëson qasjen e arkivave dhe përdorimin e dokumenteve. Kjo për neve si studentë është shumë e nevojshme”, tha ai për EO.

Të ngjashme