Në kohë të krizës energjetike, ja sa importoi dhe eksportoi Kosova brenda tre muajve

Prishtinë | 14 Shk 2022 | 19:10 | Nga Ekonomia Online

Në kohën kur Kosova është e përfshirë në krizën energjetike, brenda tre muajve vendi ynë ka importuar 900.7GWh, por dhe ka importuar 548.2GWh.

Kështu njofton Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në raportin “Bilanci i Energjisë në Kosovë, tremujori i katërt 2021”, duke shtuar se konsumi është rritur për vetëm 4.51 për qind.

“Sa i përket vlerave të energjisë së importuar, respektivisht të eksportuar, gjatë tremujorit të katërt 2021, Kosova ka importuar 900.7GWh energji elektrike, derisa gjatë të njëjtës periudhë Kosova ka eksportuar 548.2GWh energji elektrike”, thuhet në raport.

Sipas ASK-së, në këtë tremujor energjia e prodhuar në termocentrale është 1,833.05GWh.

“Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, vlera e gjithmbarshme e prodhimit të thëngjillit është rreth 2.36 milionë tonë. Kurse, sasia bruto e energjisë elektrike, e prodhuar në termocentrale është 1,833.05GWh dhe energjia alternative është rreth 70.5GWh”, thekson ASK.

Po ashtu, Agjencia e Statistikave thotë se për këtë tremujor sasia për konsum ishte 1,421.7GWh.

“Në tremujorin e katërt 2021, sasia e energjisë elektrike për konsum ishte 1,421.7GWh energji elektrike. Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM4 2020), sasia e energjisë elektrike e konsumuar është rritur për 4.51 për qind”, përfundon njoftimi.

Ditë më parë, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në mbledhjen e fundit ka miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike për të gjithë ata që harxhojnë më shumë se 800kWh.

Sipas ZRRE-së, të gjithë konsumatorët që shpenzojmë më shumë se kjo bllok tarifë do të paguajnë me dy çmime të reja.

Konsumatorët mbi këtë bllok do të kenë tarifën e lartë prej 12.5 cent dhe 5.9 cent për tarifën e ulët, ndërsa ata që shpenzojnë deri në 800kWh, tarifa e lartë do të jetë 6.75 cent e ajo e ulëta prej 2.89 cent.

Të ngjashme